Kosova shpall non grata dy zyrtarë rusë

Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se janë shpallur non grata dy zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë.


Sipas të parës së shtetit ky vendim erdhi si pasojë e aktivitetit të tyre të dëmshëm, i cili ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues në Kosovë,  njofton Klankosova.tv.

“Sot, MPJD-ja ka nxjerrë vendimin për shpalljen e këtyre dy zyrtarëve rus persona të padëshirueshëm dhe në të njëjtën kohën i ka njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e tij.” shkroi presidentja në një postim në Facebook.

Tutje Osmani u shpreh se Instuticionet e vendit nuk do të hezitojnë të veprojnë çdoherë kur cenohet siguria dhe rendi kushtetues.

“Institucionet e Republikës së Kosovës janë të vendosura në luftën kundër ndikimit malinj të Federatës Ruse dhe satelitëve të saj në rajon, të cilët synojnë rrënimin e arritjeve tona dhe të SHBA-ve, NATO-s, dhe BE-së. Për këtë arsye do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me aleatët tanë amerikanë dhe evropianë për ta parandaluar tentimin që Kosova dhe rajoni ynë të jenë pre e ambicieve destablizuese të Federatës Ruse.”