Escobar: Aty ku është KFOR nuk ka nevojë të dërgohen Forcat Speciale

Zëvendës-ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar ka thënë që është në dorë edhe të Kosovës por edhe të Serbisë që të mos ketë qasje ushtarake ndaj çështjes së targave.


I pyetur nga Zëri i Amerikës se sa i shqetësuar është nga tensionet e fundit midis Kosovës dhe Serbisë për punën e vendojessë targave, ai tha se beson që të dyja palët duhet të përmbahen pa përdorur retorikë të dëmshme që do ta prishte fokusin dhe energjinë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Ne e mbështesim këtë dialog 100 për qind dhe unë jam në kontakt të përditshëm me Miroslav Lajçakun. Ai ka disa propozime shumë të mira. Ai po përpiqet t’i sjellë të dyja palët në Bruksel lidhur me çështjen e targave, me synimin për të negociuar një zgjidhje të qëndrueshme dhe ka disa zgjidhje të mira”, ka thënë Escobar për Zërin e Amerikës.

“Por varet nga të dyja palët, që të bien dakord për ta diskutuar këtë, u takon atyre të shkojnë në Bruksel dhe ta trajtojnë këtë çështje”.

“Është gjithashtu në dorën e të dyja palëve, që të mos ketë një qasje ushtarake ndaj kësaj çështjeje dhe të mos dërgojnë Forca Speciale në një vend ku kemi KFOR-in. Nuk ka nevojë për një gjë të tillë”.

Ai tha se për punën e targave ata do të donin të shihnin lëvizje në Bruksel që nga java e ardhshme.