KFOR s’ka informacione që helikopterët serbë kanë kaluar vijën kufitare me Kosovën

KFOR si forca e tretë përgjegjëse për sigurinë në Kosovë ka mohuar se helikopterët e ushtrisë serbe të kenë hyrë në hapësirën ajrore të Kosovës pasditen e kësaj së premte.


“Nuk kemi informacione që fluturimet serbe e kanë kaluar vijën kufitare administrative”, thuhet në një përgjigje të KFOR për Klan Kosova.

“KFOR mbetet i fokusuar në përmbushjen e mandatit të vetë për çdo ditë – i cili buron nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e vitit 1999m për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lëvizjen e lirë për të gjitha komunitetet në Kosovë”.

Tre helikopterë të forcave të armatosura serbe janë parë dje pasdite duke fluturuar në territorin e Serbisë, afër pikave kufitare në Jarinë dhe në Bërnjak.

Fluturimi i helikopterëve të ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovë, vjen në ditën kohën kur rruga në Kosovë po mbahet e bllokuar nga protestuesit serbë, të cilët po kundërshtojnë vendosjen e reciprocitetit për targat e automjeteve të Serbisë që hyjnë në Kosovë.