KSHZ-ja përpunoi 100% të votave të zgjedhjeve parlamentare dhe i publikoi rezultatet përfundimtare.


Bëhet e ditur përbërja e re parlamentare e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut për katër vitet e ardhshme.

Parti dominuese në Kuvend do të jetë VMRO-DPMNE, respektivisht koalicioni “Maqedonia Jote” që ka siguruar 58 mandate duke fituar 426.022 vota apo 43.32%.

Thuajse tri herë më pak vota fitoi koalicioni për Maqedoni Evropiane i LSDM-së me 154.884 vota apo 15.37%. Socialdemokratët kanë 18 mandate.

Koalicioni Fronti Evropian që udhëhiqet nga BDI-ja fitoi 137.561 vota dhe 19 mandate, kurse koalicioni VLEN 107.090 vota dhe 13 mandate.

Vende në parlament siguruan edhe partia “E Majta” me 68.662 vota të fituara dhe 6 deputetë, sikurse dhe Lëvizja “Znam” me 56.277 vota dhe 6 mandate.

Shqiptarët në parlamentin e ri do të përfaqësohen me 30 deputetë.

Gordana Siljanovska Davkova të dielën në mesditë solemnisht do të inaugurohet si Presidente e vendit. 12 maji është edhe dita e fundit e mandatit të Pendarovskit.

Deri 28 maj duhet të konstituohet edhe përbërja e re parlamentare, kurse Qeveria Teknike do të jetë në funksion deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.