Koordinatori i posaçëm i OSBE-së, Nikoloz Samharadze dhe shefja e misionit të Asamblesë Parlamentare këtij misioni Karina Odebrik vizituan sot vendvotimet në shkollën fillore “Kiro Gligorov” në Kapishtec në Shkup. Ata me këtë rast thanë se po vëzhgojnë procesin zgjedhor në çdo qytet të madh të Maqedonisë së Veriut.


Samharadze pas vizitës ka theksuar se gjatë vëzhgimit do të tentojnë të regjistrojnë nëse votimi po zhvillohet në pajtim me standardet e OSBE-së.

Samharadze: Shpresojnë se zgjedhjet në Maqedoni do të zhvillohen sipas OSBE-së

“Kjo është qendra e votimit në qendër të Shkupit që kemi vizituar. Ne do të vëzhgojmë zgjedhjet në të gjithë vendin pothuajse në çdo qytet të madh dhe në zonat rurale dhe konkluzionet paraprake për zgjedhjet do t’i kemi nesër në orën 15:00 në konferencën për shtyp. Ne shpresojmë se zgjedhjet do të zhvillohen sipas standardeve të OSBE-së dhe i urojmë popullit të Maqedonisë së Veriut shumë sukses në përpjekjet e tyre të ardhshme”, tha Samharadze.

Ai potencoi po ashtu se aktivitetet e tyre janë në kuadër të misionit të përbashkët të Asamblesë parlamentare të OSBE/ODIHR-së dhe Këshillit të Evropës.

Në anën tjetër, shefja e misionit të AP të OSBE-së Karina Obderik ka informuar se kanë mbi 300 vëzhgues, ndërsa nga asambleja parlamentare 56 vëzhgues nga 25 vende.

Obderik: Jemi rreth 300 vëzhgues nga OSBE dhe 56 nga Asambleja Parlamentare

“Jemi rreth 300 vëzhgues nga OSBE dhe nga Asambleja Parlamentare jemi rreth 56 vëzhgues nga 25 vende dhe ajo që është e rëndësishme në ditën e zgjedhjeve dhe në procesin më pas është që ne të mbledhim të gjitha vëzhgimet tona dhe t’i bashkojmë ato. Kjo është gjëja e rëndësishme e gjetjeve dhe deklaratave tona e kështu me radhë”, tha Obderik.

Sot në Maqedoninë e Veriut mbahen zgjedhje të dyfishta. Për zgjedhjet presidenciale janë regjistruar 1.814.317 votues, ndërsa për zgjedhjet parlamentare ky numër është 1.815.350 votues.

Diferenca në numrin e votuesve është 1033 dhe kjo është për shkak të votuesve që kanë mbushur 18 vjet. Vendvotimet u hapën në ora 07:00 dhe do të mbyllen në 19:00. Në këto zgjedhje do të jenë mbi 2000 vëzhgues vendas dhe të huaj dhe rreth 80 gazetarë të huaj.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale do të votohet për dy kandidatë, ndërsa në zgjedhjet parlamentare për 17 lista të deputetëve.