Më në fund, pas një muaji dalldisjesh dhe vardisjesh së militantëve nga të dy taboret në garën se kush i fiton këto zgjedhje në “drzhavën Severna” mes kampeve rivale, mbrëmë ra verdikti final i atij rrugëtimi disa javor që shumë militantë i zhgënjeu nga pritshmëria e rezultatit.


Ashtu siç pritej pak a shumë komitët e VMRO-s fituan 58 mandate në përbërjen e re të parlamentit.

Ndërsa debakël dhe humbje të thellë kanë pësuar socialdemokratët e Dhimo Kovaçit me 18 mandate, si përgjigje e punës së tyre dhe sloganit të dështuar “Për një jetë më të mirë për të gjithë” në 8 vitet e qëndrimit të tyre në pushtet.

Në kampin shqiptar Fronti Europian fitoi 19 mandate në parlamentin e ri, si forca e dytë politike në vend të kryesuar nga DUI dhe Ali Ahmeti, megjithë qëndrimin e gjatë për dy dekada rresht në pushtet, përsëri ia dolën!

Sa i takon koalicionit VLEN, ata arritën të marrin 13 mandate, duke u rreshtuar një pozicion më poshtë nga SDSM-ja në radhitjen e përbërjes së re të parlamentit.

Vlenistët shpresonin më shumë se bashkë me ta do të vinte “ndryshimi”, por ndryshimi erdhi për t’i zëvendsuar në qeverinë e re integristët dhe jo “ndryshimi” si frymë, pasi në qeverinë e re ata do të jenë numra plotësues për të siguruar numrat e nevojshëm dhe jo si partner i imponuar i votuesve shqiptar.
“Ndryshimin” dhe reformat nuk varen nga vlenistët që nuk vlejnë për komitët veç si një “rrotë rezervë” në qeverinë e koalicionit, por nga komitët të cilët kanë zgjidhje të tjera në çdo moment për t’i hequr qafe vlenistët entuziastë për t’i zëvendësuar me të tjerë.

LEVICA e Apasievit dhe ZNAM e Dimitrievskit ndajnë pozitën e fundit me nga 6 mandate secili.

Komitët e Mickos e kanë të drejtën e formimit të qeverisë së koalicionit, siç kanë deklaruar ata do të ftojnë VLEN-in dhe jo Frontin në shtëpinë e bardhë për ta udhëhequr “drzhavën” në katër vitet e ardhshme.

Qeveria e re e koalicionit ka një sfidë të rëndë para saj sepse do të përballet me presionin ndërkombëtar lidhur me ndryshimet kushteguese si kusht i hapjes së negociatave me BE-në!

Nëse premieri i ardhshëm refuzon kushtin europian për ndryshimet kushtetuese jatëgjëtësia e këtij koalicioni qeveritar që duhet të formohet pas disa javësh do të mbetet një pikëpytje e madhe.

Në këtë rrugëqorre që pritet se do kalojë “Severna” nuk përjashtohen presionet ndërkombëtare dhe as zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, për shkak të frymës bllokuese të eurointegrimeve nga ana e komitëve nacionalistë të kryekomitit Micko në këtë udhëkryq.

Pyetja që shtrohet natyrshëm në këtë rast është : A për këtë zgjidhje votuan qytetarët që të mbeten peng i bllokadës së mendjes së ndryshkur të komitëve apo për eurointegruese me shpresën sa më parë drejt Europës?

Ajo që vlen për t’u theksuar është se kush vallë do ta sjell “ndryshimin” dhe cili është çmimi që do të paguajnë shqiptarët për “ndryshimin”, ku pas fitores së thellë të komitëve në këto zgjedhje nuk duket gjë në hotizont. Medai Shaholli