Vetëm disa ditë pasi urdhëroi stërvitje ushtarake me armë taktike bërthamore, presidenti rus, Vladimir Putin, paralajmëroi për rrezikun në rritje të një konflikti global.


Duke folur në Sheshin e Kuq të Moskës, për nder të 9 Majit – ditës kur Rusia mposhti Gjermaninë naziste në Luftën e Dytë Botërore – Putin tha se Perëndimi është “arrogant” dhe paralajmëroi se Rusia nuk do të lejojë askënd ta kërcënojë.

Udhëheqësi rus, i cili më 7 maj u inaugurua për herë të pestë në postin e presidentit, ka përdorur edhe më herët retorikë të tillë, për të justifikuar pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës fqinje.

Ai thotë se Perëndimi e ka përdorur Ukrainën për të ndërhyrë në atë që, tradicionalisht, ka qenë një sferë me ndikim rus.

Kievi dhe Perëndimi, i cili e mbështet Ukrainën me pajisje ushtarake dhe ndihmë financiare, thonë se lufta është thjesht një përpjekje e Putinit për të marrë tokën, e cila dikur ka qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik.

“Ne po e shënojmë Ditën e Fitores në kohën kur po kryejmë operacionin special ushtarak”, tha Putin duke iu referuar pushtimit të Ukrainës, tashmë në vitin e tretë.

“Ata që gjenden në vijën e frontit, janë heronjtë tanë”, tha ai.

Ditëve të fundit, Rusia akuzoi vendet perëndimore, përfshirë Britaninë e Madhe dhe Francën, për kërcënime kundër saj.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, nuk e përjashtoi mundësinë e dërgimit të trupave tokësore në Ukrainë.

“Rusia do të bëjë gjithçka për të shmangur konfrontimin global. Por, në të njëjtën kohë, ne nuk do të lejojmë që dikush të na kërcënojë. Forcat tona strategjike janë gjithmonë në gatishmëri luftarake”, tha Putin.

Më 6 maj, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se, me urdhër të Putinit, do të kryejë disa stërvitje që do të përfshijnë armët taktike bërthamore. Të tillat u paralajmëruan për herë të parë prej se shteti rus nisi agresionin kundër fqinjit të tij.

Ministria ruse tha se stërvitjet do të mbahen për shkak të deklaratave “të pashembullta” dhe “provokuese” nga Britania dhe Franca, që, sipas saj, dëshmojnë përfshirjen e tyre gjithnjë e më të madhe në luftën në Ukrainë.

Putin tha të enjten se nuk ka “asgjë të pazakontë” sa u përket këtyre stërvitjeve, të cilat Bashkimi Evropian i cilësoi si “vazhdim i sjelljes së papërgjegjshme të Rusisë”.

Një zëdhënës i shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se stërvitjet e tilla janë edhe një “provë se Kremlini është i interesuar vetëm për përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës”.

Bjellorusia, ku Rusia ka aktualisht disa nga armët e saj taktike bërthamore, tha se do ta kontrollojë gjithashtu gatishmërinë e forcave të saj bërthamore.

Roli i armëve bërthamore strategjike është t’i godasin objektivat e armikut larg vijës së frontit, ndërsa armët taktike bërthamore janë krijuar për t’u përdorur në fushat e betejës.

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara janë fuqitë më të mëdha bërthamore në botë, pasi posedojnë më shumë se 10.600 nga 12.100 kokat bërthamore.

Kina ka arsenalin e tretë më të madh bërthamor, e ndjekur nga Franca dhe Britania.

Asnjë fuqi nuk ka përdorur armë bërthamore në luftë prej se Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulmet e para me bomba atomike në qytetet japoneze, Hiroshima dhe Nagasaki, në vitin 1945.

Pentagoni tha të hënën se nuk ka parë ndonjë lëvizje të forcave strategjike bërthamore të Rusisë, pavarësisht “retorikës së papërgjegjshme” të Kremlinit./REL