Rethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare që po mbahen sot në Maqedoninë e Veriut mund të ketë një ndikim kyç në shpresat e këtij vendi ballkanik për anëtarësim në Bashkimin Evropian, vlerësojnë mediat belge në lajmet lidhur me zgjedhjet në vend.


Shërbimi belg i transmetimit publik në gjuhën franceze RTBF thekson se “kthimi në pushtet i opozitës së djathtë” mund të rinovojë tensionet me Greqinë dhe Bullgarinë fqinje, veçanërisht me Sofjen, e cila vendos kushtet e veta për përparimin e Maqedonisë së Veriut në negociatat e anëtarësimit.

“Partia nacionaliste e djathtë VMRO-DPMNE, kandidatja e së cilës Gordana Siljanovska-Davkova kishte një avantazh të madh në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale të 24 prillit, është në rrugë të mbarë drejt fitores edhe në rrethin e dytë, por edhe në zgjedhjet parlamentare”, thekson RTBF.

Sipas televizionit, lideri i partisë Hristijan Mickoski refuzon të njohë emrin e ri të vendit – Maqedonia e Veriut, e përcaktuar nga “marrëveshja historike e nënshkruar në vitin 2018 me Greqinë për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes afatgjatë midis Shkupit dhe Athinës”.

“Ai premtoi gjithashtu qëndrim të vendosur në qor-sokakun midis Shkupit dhe Sofjes, i cili në dy vitet e fundit bllokoi negociatat për hyrjen e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian”, shton transmetuesi frankofon belg.

Portali “Politiko” i Brukselit, nga ana tjetër, vlerëson se “ndryshimi i ardhshëm i qeverisë në Maqedoninë e Veriut” rrezikon të ringjallë tensionet me Bullgarinë dhe Greqinë, ” duke e komplikuar shtesë rrugën tashmë të vështirë të vendit drejt anëtarësimit në BE”.

Në tekstin kushtuar zgjedhjeve, kujtohet se në vitin 2018 vendi pranoi ndryshimin e emrit me Marrëveshjen e Prespës në këmbim të fillimit të negociatave me BE-në dhe anëtarësimit në NATO, por që nga ajo kohë “qytetarët e Maqedonisë së Veriut janë bërë gjithnjë e më të frustruar nga ngadalësia e procesit të anëtarësimit, ndërsa mbështetja publike për BE-në ka rënë ndjeshëm”.

Sipas “Politiko”, anketat tregojnë se VMRO-DPMNE udhëheq dhe pritet ta zëvendësojë “partinë socialiste LSDM”, e cila qeverisë me vendin që nga viti 2017, edhe pse do të ketë nevojë për koalicion.