Nëna Mihrije Daçaj, djemtë binjakë të së cilës u vranë në Prizren gjatë luftës, tregoi në emisionin Kosova Today në Klan Kosova se zemra e saj e kishte ndjerë këtë tragjedi.


Ajo sqaron se së bashku me bashkëshortin i kishin kërkuar djemtë nëpër burgje gjithandej dhe se nuk i kishin gjetur, e më pas i kishin lajmëruar se janë të vrarë në mal.

“Dhjetë ditë kanë qëndruar në mal trupat e tyre, por serbët s’na kanë lejuar të shkonim t’i merrnim. Unë nuk i kam parë asnjëherë trupat e fëmijëve”, rrëfen zonja Daçaj.

Ndërkaq avokati Gent Gjini shprehet se fatmirësisht shtatorin e kaluar është arrestuar ky kriminel serb për krimin që e ka bërë në qendër të Prizrenit.

“Prokuroria Speciale, Miroslav Pleskonjiqin e ka paraburgosur dhe është në qendër të paraburgimit në departamentin për krime lufte. Tani palët janë dëgjuar dhe janë mbledhur faktet e dëshmitë, dhe ky kriminel do të del para drejtësisë dhe ne do ta ballafaqojmë me pyetje e me fakte e dëshmi se i njëjti është kryes i kësaj vepre penale. Ai njihet për shumë vepra të kryera të akteve të krimeve të luftës ndaj popullatës civile shqiptare”.