Lidhja Social-Demokratike e Maqedonisë, partia e cila pas shtatë vitesh qeverisje pësoi humbjen më të madhe zgjedhore në zgjedhjet e dyfishta presidenciale dhe parlamentare, njoftoi se në qershor do të zhvillojë zgjedhje të drejtpërdrejta brendapartiake për kryetar të ri. Pas dorëheqjes së kryetarit, sot kanë dorëzuar të gjithë anëtarët e Komiteti Ekzekutiv dhe kryesia e partisë. Ata u kanë bërë thirrje edhe anëtarëve të Komitetit Qendror që të japin dorëheqje, transmeton Portalb.mk.


Në seancën e sotme të Komitetit Ekzekutiv është konfirmuar dorëheqja e Dimitar Kovaçevskit nga pozita e kryetarit të partisë. Siç thuhet në njoftimin e LSDM-së, Kovaçevski ka iniciuar një “Kongres të përgjegjshëm”.

Më pas shtohet se Komiteti Ekzekutiv ka konstatuar se, sipas Statutit të partisë, kanë filluar të ecin afatet për organizimin e zgjedhjeve brendapartiake për kryetar të ri, si dhe janë formuar grupet punuese për regjistrimin e anëtarëve për votim.

“Komiteti Ekzekutiv ngarkoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në bazë të Statutit të Partisë, të propozojë një rregullore me orar të propozuar për zbatimin e zgjedhjeve të drejtpërdrejta brenda partisë gjatë muajit qershor në një procedurë transparente dhe demokratike”, thuhet në njoftimin e partisë. 

Krahas kryetarit Kovaçevski, nga pozicionet e tyre kanë dhënë dorëheqje edhe anëtarët e Bordit Ekzekutiv, si dhe anëtarët e kryesisë së LSDM-së, nënkryetari, nënkryetarët, sekretari i përgjithshëm, sekretari organizativ, sekretari për bashkëpunim ndërkombëtar .

Në njoftim u bëhet thirrje anëtarëve të Komitit Qendror që të ndjekin shembullin e dorëheqjeve të dorëzuara si akt moral përgjegjësie.

“Me dorëheqjen e kryetarit të LSDM-së, të gjithë kryetarët e organizatave komunale dhe kryetari i organizatës së qytetit po japin dorëheqje për faktin se janë emëruar nga kryetari dhe do të kryejnë detyrën deri në zgjedhjen e të rinjve”, thanë LSDM-ja.

Ndryshe, zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024 së bashku me zgjedhjet e shtata presidenciale. Sipas rezultateve, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, por pas rivotimit mbeti me 18 LSDM 18, VLEN 13, por pas rivotimit fitoi edhe një deputet, E Majta 6 dhe ZNAM 6. Përbërja e re e Kuvendit duhet të konstituohet më së voni 20 ditë pas zgjedhjeve.

Ky rezultat u vlerësua si një humbje e thellë e LSDM-së, parti e udhëhequr në dy vitet e fundit nga ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski.