Më 16 prill 2024, deputetët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, me shumicën e dy të tretave  e aprovoi raportin e deputetes greke Dora Bakojani (Dora Bakoyannis, 1954- ) me të cilin Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës i rekomandohet që ta pranojë aplikimin e Kosovës për t’u bërë anëtare e kësaj organizate, kushtuar të drejtave të njeriut dhe zhvillimit të demokracisë. Prej 171 deputetëve të pranishëm, për raportin votuan 131 deputetë. Kundër ishin 29, ndërsa 11 deputetë abstenuan. Propozimin e pranimit, Asambleja Parlamentare e KE-së ia dërgon Komitetit të Ministrave të Punëve të Jashtme i cili merr vendim përfundimtar, pikërisht me shumicën e dy të tretave të ministrave. Mbledhja e Komitetit të Ministrave duhet të mbahet në Strasburg, më 16 dhe 17 maj të vitit 2024. Aprovimit të rekomandimit më 16 prill i priu një debat që zgjati mbi dy orë. Vendet e KUINT-it – ShBA-ja, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia, e mbështesin Kosovën, por duan që Prishtina të themelojnë bashkësinë e komunave me shumicë serbe. Këshilli i Evropës është organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, për demokraci dhe sundim të së drejtës në Evropë, me seli në Strasburg. Është themeluar në vitin 1949. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediumeve, barazinë dhe pakicat në vendet anëtare. Një prej dobive të drejtpërdrejta të qytetarëve të Kosovës nga anëtarësimi në KE do të jetë qasja në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Përse anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte i rëndësishëm për pakicat? Raportin e hartoi Dora Bakojani, ndërsa projektin e tij (të raportit) e miratoi në mars Komiteti për Politikë dhe Demokraci i kësaj organizate. Duke iu drejtuar Asamblesë, deputetja greke theksoi se Kosova, “pavarësisht prej disa mungesave”, është demokraci funksionale dhe i plotëson kushtet për pranim. Bakojani tha se edhe juristët e kanë konfirmuar qëndrimin se Kosova i plotëson kushtet themelore për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës. Lidhur me formimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë, Bakojani vlerësoi se “kjo çështje është në kompetencë të brendshme të Kosovës dhe s’ka lidhje me pranimin në Këshillin e Evropës. Për këtë arsye, Këshilli i Ministrave duhet ta ftojë Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”. Ajo theksoi se raporti i saj nuk përfshin njohjen ose mosnjohjen e Kosovës dhe ajo nuk ka për detyrë të merret me çështjen e shtetësisë. Bakojani dhe folësit e tjerë, përfshi edhe ekspertët juridikë, e përshëndetën vendimin e qeverisë së Kosovës për ta zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me tokën që iu dha manastirit të Deçanit. U theksua se çështja e shpronësimit do të ndiqet me vëmendje në procesin pas pranimit.

*   *   *

 

 

 

            Shefi i delegacionit gjerman në Këshillin e Evropës, Frank Shvabe (Frank Schvabe, 1970 – ), tri javë para votimit në Komitetin e Ministrave për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, vlerësoi: “Nga këndvështrimi i tashëm, gjasat e pranimit janë 50% me 50%. Hapi i rëndësishëm që bëmë me shumicën në Asamblenë Parlamentare gjithsesi u kanë lënë përshtypje qeverive, ministrave dhe këshillave, por ka edhe shumë punë për të bërë”.

Kryetari i Nismës Evropiane për Qëndrueshmëri (ESI), austriaku Gerald Knaus (19070- ) thotë: “Vërejmë se kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq zhvillon një fushatë të suksesshme për t’i bindur vendet kryesore të Evropës që tani për tani ta shtyjnë votimin për pranimin e Kosovës”. Ka që thonë se, për shkak të luftës në Ukrainë dhe në Rripin e Gazës, Evropa nuk u kushton vëmendje të duhur vendeve të vogla. 

*   *   *

           

            Para do kohe serbët i braktisën institucionet e Kosovës. Në mbledhjen “e përfaqësuesve politikë dhe institucionalë të serbëve” të Kosovës, më 5 nëntor 2022, u vendos ta braktisin kuvendin e Kosovës, qeverinë e Kosovës, katër komunat në veri, organet e jurisprudencës, policinë dhe administratën. Pretekst për lënien e institucioneve ishte vendimi i organeve kompetente të Kosovës për ta pezulluar drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Policisë, Nenad Gjuriqin i cili refuzoi t’u japë vërejtje serbëve të cilët në automjetet e veta mbanin targa KM. 

            Kah mesi i dhjetorit të viti 2022, për ta rritur sigurinë, Qeveria dërgoi në veri njësi të Policisë së Kosovës.

            E ashtuquajtura Zyrë për Kosovë dhe Metohi, prej 5 nëntorit e këndej paska evidentuar një numër të madh incidentesh, etnikisht të motivuara. Rrenë e kulluar! S’ka ndodhur as dhe një incident i vetëm. Serbët janë mjeshtër botërorë për të sajuar gënjeshtra të këtilla dhe për t’i propaganduar ato. Për propagandë ia kalojnë edhe Jozef Gebelsit (Joseph Goebbels, 1897-1945).

     Zgjedhjet vendore të jashtëzakonshme në Mitrovicën veriore, në Leposaviq, në Zveçan dhe në Zubin Potok, të organizuara nga Qeveria e Kosovës për 23 prill 2023, serbët i bojkotuan.

            Më 29 maj 2023 serbët e veriut sulmuan me gurë, me shishe, me koktej Molotov dhe me mjete të tjera pjesëtarët e Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR). Me këtë rast u plagosën 90 ushtarë të KFOR-it. Katër muaj pas dhunës në veri, nga KFOR-i pritën që Prishtina dhe Beogradi t’i nxjerrin para drejtësisë të gjithë aktorët e sulmeve ndaj ushtarëve të tyre. Trazirat u organizuan kundër hyrjes së kryetarëve shqiptarë në ndërtesat e komunave. Për pjesëmarrje në protesta të dhunshme dhe sulmit ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, organet kompetente të Kosovës arrestuan dhjetë dhunues. Më 19 shtator 2023, komandanti i KFOR-it Angjelo Ristuqa (Angelo Ristuccia) deklaroi se autoritetet e Kosovës punojnë për zbardhjen e rrethanave të sulmit.

              Më 24 shtator 2023, një grup i armatosur me në krye Milan Radoiçiqin, ndërmori sulm terrorist në Kosovë. Sulmi u përgatit dhe u organizua në Beograd dhe u mbështet nga kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi (1970- ). Sulmi kundër njësive speciale të Policisë së Kosovës u krye në fshatin Banjskë të Zveçanit. Me këtë rast u vranë tre sulmues. Mbeti i vrarë edhe rreshteri i Policisë së Kosovës, heroi i kombit Afrim Bunjaku. Kosova, Shqipëria dhe BE-ja sulmin e cilësuan si akt terrorist. Sulmi u dënua edhe nga ShBA-ja. Është naivitet të presësh që Serbia t’i arrestojë aktorët e sulmit në Banjskë. Vetë ajo është organizatore e sulmit. Për habi, sulmin terrorist të sipërthënë, bota demokratike e la në harresë.       

            Më 21 prill 2024, Lista Serbe mori vendim për bojkotimin e referendumin në veri. Me këtë referendum do të krijoheshin kushte ligjore për organizimin e zgjedhjeve të reja në veri dhe për zëvendësimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe.

            Nga sa më sipër shihet qartë se Serbia nuk do zgjidhje për Kosovën. Beogradit nuk i interesojnë fare të drejtat e serbëve në Kosovë. Vuçiqi dhe bashkëmendimtarët e tij duan territor. Qëndrimi serb ndaj Kosovës është skajshëm destruktiv.

            Ka kohë që Serbia armatoset me armë nga Rusia, nga Kina, nga Franca etj. dhe i përqendron forcat ushtarake mu pranë kufirit të Kosovës.   

*   *   *

        Kosova ndërkaq i ka plotësuar të gjitha detyrimet që rezultojnë nga bisedimet e Brukselit. Kosova është shtetet demokratik, shtet ligjor dhe shtet i së drejtës. Aty mbizotëron rendi, rregulli dhe ligji, luftohet korrupsioni si në asnjë vend tjetër të Ballkanit. Të drejtat e pakicave, përfshi edhe atë serbe, janë të garantuara si në asnjë vend tjetër të BE-së.

Kosova e ka vendin në Këshillin e Evropës, në BE dhe në NATO. Po qe se më 16 dhe 17 maj të vitit në vazhdim Kosova nuk do të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, atëherë mbi demokracinë perëndimore do të ngadhënjejë fashizmi serb. Po qe se Kosova nuk pranohet në KE, atëherë vihet në dyshim edhe dialogu i Brukselit. Një dialog i tillë për Kosovën do të ishte i pakuptimtë.

Fuqitë perëndimore duhet të pushojnë ta ledhatojnë Serbinë destruktive,  destabilizuese dhe luftënxitëse. Serbia e sjell Rusinë dhe Kinën në Ballkan. Vuçiqi i fyen fuqitë perëndimore dh epët syri s’i bën. Përkundër kësaj, fuqitë perëndimore vazhdojnë ta ledhatojnë. Serbia është i vetmi shtet i Evropës që nuk i vuri sanksione Rusisë. Përkundër kësaj, ajo vazhdon të shpërblehet nga Perëndimi. Kosova ndërkaq, ndonëse e rreshtuar në anën e drejtë të historisë, ndodhet e ndëshkuar, për të mos thënë e sanksionuar – nga perëndimorët.

Problem i Kosovës nuk është Albin Kurti (1975- ). Kryeministri i Kosovës, në përputhje me Kushtetutën, tenton të ruajë tërësinë e tokave, sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës. S’do të ketë kryeministër tjetër që do të vepronte ndryshe. Kosova ka për detyrë t’ua sigurojë pakicave liritë dhe të drejtat qytetare. Çdo gjë përtej kësaj është shkëputje territori.

Themelimi i asociacionit nuk është asgjë tjetër përpos krijim të shtetit brenda shtetit, krijim të një dodik republike. Sapo ta krijonin dodik republikën, pas disa muajve serbët do ta shkëputnin atë dhe do t’ia bashkëngjitnin Serbisë. Ky akt i Beogradit do të mbështetej nga Moska dhe Pekini. Fuqitë perëndimore ndërkaq do t’i mbyllnin sytë.

Asociacioni paraqet ndryshim kufijsh, gjë që është në kundërshti me parimet themelore të BE-së. Albin Kurti në Bruksel nuk ka zhvilluar dialog me Vuçiqin, por me Vladimir Putinin (1952- ).

*   *   *

            Më 5 maj 2024 Serbia e formoi qeverinë e vet. Në përbërje të saj u përfshinë edhe Aleksandar Vulini (1972- ) dhe Nenad Popoviqi (1966- ), të cilët ndodhen në listën e zezë të ShBA-së. Vulini i cili në korrik të vitit 2023 u sanksionua prej Uashingtonit, u emërua nënkryetar  qeverie. Popoviqi i sanksionuar nga Uashingtoni në nëntor të vitit 2023, u emërua ministret pa portofol.

            Për emërimet e sipërthëna, ShBA-ja shprehu “keqardhje”. Asgjë më shumë se kaq. Vuçiqi nuk vonoi për të deklaruar: “Serbia vetë e formon qeverinë e vet”.      

            S’ka se si të mos shtrohet pyetja: Shpallja “person i padëshiruar” nga ShBA-ja, ka ndonjë peshë apo s’ka?!

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme i BE-së, Josep Borrell (1947- ) ka uruar Millosh Vuçeviqin (1974- ) për zgjedhjen në pozitën e kryeministrit të Serbisë. Boreli e ka uruar edhe ministrin serb të Punëve të Jashtme, Marko Gjuriqit (1983- ): “Pres të punoj me ju, ministër Gjuriq dhe qeverinë, për ta lëvizur Serbinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”. 

*   *   *

          Serbia vazhdon të rijë në dy karrige: edhe me Rusinë e Kinën, në një anë, edhe me perëndimorët, në anën tjetër. Një lojë djallëzore si kjo as Mefistofeli s’ka ditur ta luajë.

            Edhe pas kësaj, perëndimorët u dashka të hamenden: ta pranojnë ose jo Kosovën në Këshillin e Evropës. Nuk duhet besuar se Perëndimi ballafaqohet me krizë lidershipi. Sjelljet satanike të Beogradit e diskreditojnë Perëndimin. Perëndimi nuk duhet ta lejojë një gjë të tillë.    

*   *   *

Ka pasur një politikan shqiptar që kanë thënë:

 

            – Për Kosovën duhet të mbahet një konferencë ndërkombëtare;

            – Nga veriu duhet të tërhiqet policia e Kosovës;

            – Veriu i Kosovës është tokë e askujt.

 

Pikëpamjet apo qëndrimet e sipërthëna kurrë s’do të jetësohen. Konferenca për Kosovën u mbajt në Rambuje (Rambouillet) afër Parisit, prej 06.02.1999 deri më 23.02.1999.  Konferencë tjetër kurrë s’ka për t’u mbajtur. Kosova është shtet demokratik, sovran dhe i pavarur. Atë e kanë njohur 117 shtete të botës. E kanë pranuar Fuqitë perëndimore: ShBA-ja, Britania e Madhe, Gjermani, Franca, Italia etj.

S’ka Ballkan të Hapur. Ka Proces të Berlinit, nismë kjo e promovuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel (1954- ) I ashtuquajturi Ballkani i Hapur, s’ka qenë veçse utopi. S’ka krushqi, as miqësi me djaj, demonë, luciferë.

*   *   *

Perëndimi nuk duhet ta ledhatojë Serbinë por ta detyrojë atë të përgjigjet për krimet e kryera në Kosovë. Sa për asociacion, Perëndimi duhet ta detyrojë Serbinë që të formojë një të tillë në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), ku ndaj shqiptarëve Serbia ushtron gjenocid të heshtur.

Asociacion s’kanë shqiptarët në Maqedoni, ku përbëjnë 30% të popullsisë, përballë sllavo-maqedonasve të cilët s’janë më shumë se gjysma e popullsisë së përgjithshme. Përse pra u dashka asociacion për 4% serbë në Kosovë.

Ka bar për Serbinë – të pushojë së ledhatuari nga Perëndimi dhe t’i kërkohet llogari për ligësitë. 

 

Xhelal Zejneli