Zyrtarë amerikanë thonë se Izraeli informoi këtë javë zyrtarët e administratës Biden për një plan për të evakuuar civilët palestinezë, përpara një operacioni të mundshëm në qytetin jugor të Gazës, Rafah.


Operacioni sipas autoriteteve izraelite synon çrrënjosjen e militantëve të Hamasit.

Zyrtarët, i bënë komentet në kushte anonimiteti, duke shtuar se megjithatë, plani i detajuar izraelit, nuk e ndryshonte pikëpamjen e administratës amerikane, se një operacion në Rafah, do të vinte në rrezik jetët e shumë civilëve palestinezë të pafajshëm.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është zotuar ta kryejë operacionin, pavarësisht paralajmërimeve të presidentit Joe Biden dhe zyrtarëve të tjerë perëndimorë që kanë thënë se një veprim i tillë, do të rezultonte në rritjen e mëtejshme të numrit të viktimave, si do të përkeqësonte një krizë tashmë të rëndë humanitare, me të cilën përballet rajoni.

Administrata Biden ka paralajmëruar për pasoja për Izraelin nëse ai bën përpara me operacionin, pa një plan të besueshëm për të mbrojtur civilët.

“Në mungesë të një plani të tillë, ne nuk mund të mbështesim një operacion të madh ushtarak në Rafah, sepse dëmi që do të shkaktonte është përtej asaj që është e pranueshme”, tha Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken të premten në mbrëmje gjatë Forumit të Sedonës, që u mbajt në Arizona, organizuar nga Instituti McCain.

Rreth 1.5 milionë palestinezë janë strehuar në Rafah, ndërsa territori është shkatërruar nga lufta që nisi më 7 tetor pasi militantët e Hamasit sulmuan Izraelin, duke vrarë 1200 persona e marrë peng 250 të tjerë.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për ndihmë humanitare tha të premten se qindra mijëra njerëz do të vendoseshin përballë “një rreziku të menjëhershëm për jetën”, nëse Izraeli do të bënte përpara me planet për të sulmuar Rafahun.

Qyteti kufitar është një pikë hyrëse kritike për ndihmën humanitare dhe është i mbushur me palestinezë të zhvendosur nga pjesë të tjera të rajonit, shumë prej tyre në kampe me çadra të mbushura të mbipopullura.

Zyrtarët shtuan se plani i evakuimit mbi të cilin izraelitët informuan nuk ishte finalizuar dhe të dyja palët ranë dakord të vazhdonin të diskutonin këtë çështje.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre u tha gazetarëve të premten se Izraeli nuk i treguar Shtëpisë së Bardhë asnjë plan “gjithëpërfshirës” për një operacion të mundshëm Rafah.

Operacioni, tha ajo është diskutuar gjatë telefonatave të zhvilluara së fundmi mes presidentit Biden dhe zotit Netanyahu, si dhe gjatë bisedimeve të virtuale me zyrtarë të lartë të sigurisë kombëtare izraelite dhe amerikane.

“Duam të sigurohemi që ato biseda të vazhdojnë sepse është e rëndësishme që të mbrohen jetët e palestinezëve të pafajshëm”, tha zonja Jean-Pierre.

Zbulimi i përpjekjeve të vazhdueshme të Izraelit për të kryer një operacion në Rafah erdhi pasi drejtori i CIA-s, William Burns, mbërriti të premten në Egjipt, ku negociatorët po përpiqen të nënshkruajnë një marrëveshje armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit./VOA