Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani e ka konsideruar historik rezultatin e dy koalicioneve shqiptare në zgjedhjet e 8 majit në Maqedoninë e Veriut.


Ministri Hasani thekson se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është drejt BE-së, ndërsa shton se tashmë vendi duhet të forcojë harmoninë etnike dhe fetare.

“Përshëndes rezultatin historik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut në zgjedhjet e 8 majit 2024. Për të gjithë ne, e tashmja ka vetëm një emërues të përbashkët: bashkëjetesën ndërmjet grupeve etnike, feve dhe kulturave në harmoni dhe respekt të ndërsjellë. E ardhmja lëviz vetëm në një drejtim: drejt Bashkimit Evropian dhe familjes së vendeve demokratike”, ka shkruar Hasani.

Koalicioni shqiptar, BDI dhe Fronti Evropian kanë siguruar 19 vende në Kuvend, me 133 mijë vota. Ndërsa koalicioni tjetër shqiptar VLEN, ka marrë 103 mijë vota apo 13 vende në parlament.

Nëse BDI ruan 19 vendet në Kuvend deri në përfundim të numërimit, do të jetë partia e dytë më e madhe në vend, hera e parë në historinë moderne të Maqedonisë së Veriut për një parti shqiptare.

Zgjedhjet e dyfishta në Maqedoninë e Veriut që u mbajtën më 8 maj, ato parlamentare dhe balotazhin për presidentin e vendit u fituan nga partia opozitare VMRO-DPMNE.