I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se disa shtete anëtare të Këshillit të Evropës kanë kërkuar që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.


Gjatë një bisede me gazetarë, Escobar tha se çështja e Asociacionit dhe e disa çështjeve që kanë të bëjnë me minoritetin serb, që nuk janë përmbushur, kanë qenë kërkesa të vazhdueshme.

“Kjo është ajo që po nxit shqetësimin se Kosova mund të mos ketë votat për Këshillin e Evropës”, tha Escobar më 8 maj.

Ai tha se SHBA-ja nuk ka votë në këtë organizatë evropiane për të drejtat e njeriut, por qëndrimi i Uashingtonit është që Kosova duhet të jetë anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara “dhe do të vazhdojmë të punojmë për këtë”.

“Sa i përket integrimit evropian, mendoj se është e rëndësishme për Kosovën që të dëgjojë aleatët e saj evropianë dhe të punojë me aleatët evropianë, teksa ne forcojmë kandidaturën e Kosovën në të gjitha strukturat euroatlantike”, shtoi ai.

Gjatë kësaj bisede virtuale me gazetarë, Escobar, që në fund të këtij muaji përfundon mandatin e tij, tha se i vjen keq që gjatë mandatit të tij nuk është zbatuar marrëveshja në rrugën drejt normalizimit të raporteve, e arritur mes Kosovës dhe Serbisë, vitin e kaluar.

Ai fajësoi të dyja shtetet për dështim të përmbushjes së zotimeve të tyre që dalin nga kjo marrëveshje dhe aneksi për zbatimin e saj.