CIVIL vlerëson se zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale kane kaluar në mënyrë paqësore dhe demokratike, pa incidente dhe parregullsi të theksuara. Sipas kësaj organizate qytetarët kanë mundur lirshëm të shprehin vullnetin e tyre zgjedhor në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe parimet dhe standardet demokratike. Nga CIVIL theksojnë se disa parregullsi të evidentuara në 8 maj, nuk kanë ndikuar dukshëm në vlerësimin e përgjithshëm të procesit zgjedhor. 80 vëzhguesit e CIVIL-it kanë qenë të shpërndarë në të gjithë vendin për të monitoruar zgjedhjet e dyfishta.


“Disa nga anëtaret e këshillave zgjedhore në vendvotimet e mbuluara nga vëzhguesit e CIVILIT, kanë përkrahur ose janë përpjekur ta pengojnë bojkotin e zgjedhjeve presidenciale, aty e kishim përqendrimin në ditën e votimeve. Ka edhe raste të shkeljes së heshtjes zgjedhore dhe të shkeljes së privatësisë ose fshehtësisë së votës dhe në një pjesë të rasteve ka mosveprim në lidhje me shkeljen e heshtjes zgjedhore nga vëzhguesit partiak ose civil”, deklaroi Diana Tahiri, CIVIL.