Kryetari i BDI-së z. Ali Ahmeti sot ka qëndruar në Bajram Curr të Tropojës ku ka marrë pjesë në ceremoninë e zbulimit të shtatores së gjeneralit Tahir Sinani.


Në mesin e shumë të pranishmëve, familjarë të gjeneralit Tahir Sinani, familjarë të të rënëve në luftëra dhe shumë qytetarë, kryetari Ahmeti u shpreh se ka ardhur në Tropojë me porosi se edhe në Shkupin dardan sot qëndrojnë shtatore të heronjëve tanë dhe se shqiptarët atje kanë flamurin, gjuhën dhe universitete.

Në vazhdim ju sjellim fjalimin e plotë:

Vëllezër e motra tropojan, malësisë së Gjakovës,

Të nderuara familje të dëshmorëve,

Të plagosur e veteran,

Të gjithë ju njerëz që në vite keni punuar dhe vepruar e luftuar që shiqiptarët të gëzojnë lirinë,

Ministra, kryeministra e deputetë,

I dashur z. Byberaj,

Sot, vendoset i bronztë gjenerali Tahir Sinani,

Gjenerali është vendosur një ditë përpara për të bërë raport gjyshit të tij Mic Sokolit dhe luftëtarit Bajram Currit.
Sikur dëgjoja raportin e tij përpara bac Bajramit, duke i thënë se Hasan Prishtina është në qendër të Shkupit në shtatore, heroi ynë kombëtar është në sheshin e Shkupit të vjetër, duke bërë raport se Isa Boletini është mu në Shkup i ngritur shtatëlartë, po dëgjoja raportin e gjeneral Tahir Sinanit duke i thënë gjyshit që gjuha të cilën e fole, sot është zyrtare dhe Maqedonia me kryeministër shqiptar dhe se flamuri kombëtar edhe nga gjaku i Tahir Sinanit, tre universitete në tokën dardane Shkup e Tetovë,

Vëllezër e motra,

Nga andej ku është gjaku i derdhur, sot vij këtu bashkë me sokolat, ushtar e komandant me porosi nga Mehmet Gega i Tetovës, nga Struga e komandant Strugës, nga Karadaku e Kumanova e Fadil Nimanit.

Po vijmë këtu me porosi të Xhemë Hasës nga Gostivari e Mefailave nga Zajazi, me porosinë dhe jehonën e zërit të tyre nga andej, se ne shtatoren me bronz ua sollëm,

E dashura familje e gjeneral Tahir Sinanit,

Vëllezër e motra,

Sot po shpalosim gjeneralin, lavdi të gjithë të rënëve për lirinë, rrofshi e qofshi tropojan, e mirë u takofshim për vepra të tjera.