Zbulohen tre zëvendësuesit e mundshëm të Allegrit

Massimiliano Allegri pritet që të largohet nga Juventusi në fund të këtij sezoni, megjithëse nuk përjashtohet shkarkimi i tij edhe më herët.


Trajneri italian është nën presion pasi “Bianconerët” fituan vetëm një ndeshje nga nëntë e fundit.

Ata ende qëndrojnë në vendin e tretë në tabelën e Serie A, por Bologna është vetëm dy pikë më poshtë – teksa edhe Roma e Atalanta po synojnë top-katërshen.

Sipas “Tuttosport”, Thiago Motta është kandidati kryesor për të zëvendësuar Allegrin në Juventus. Por, dikush tjetër mund të emërohet si trajner i përkohshëm nëse Allegri shkarkohet para fundit të sezonit.

56-vjeçari besohet se mund të shkarkohet nga “Zonja e Vjetër”, nëse skuadra merr rezultate zhgënjyese edhe në dy ndeshjet e ardhshme; kundër Fiorentinas dhe Torinos.

Nëse Allegri shkarkohet, ai mund të zëvendësohet përkohësisht nga trajneri i Juventus NextGen, Massimo Brambilla, ose legjenda e klubit, Paolo Montero, i cili aktualisht po shërben si trajner i Juventus Primavera (U19).

Megjithatë, kandidati kryesor për të zëvendësuar Max Allegrin në verë është trajneri i Bolognas, Thiago Motta, kontrata e të cilit në “Stadio Dall’Ara” skadon në qershor.