U mbrojt me sukses nga sulmet e Iranit me 300 dronë dhe raketa – sa i kushtoi Izraelit mbrojtja për një natë?

Sulmi i Iranit ndaj Izraelit me më shumë se 300 dronë dhe raketa balistike ishte sfida e fundit për Forcat e Mbrojtjes izraelite (IDF).


Falë sistemit të avancuar të mbrojtjes Izraeli arriti të mbrohej nga sulmet me sukses, duke parandaluar kështu dëmet serioze në vend.

Por, sa i kushtoi kjo mbrojtje Izraelit?

Gjenerali Reem Aminoach, këshilltar financiar i ish-shefit të shtabit të IDF, tha se kostoja e aktivizimit të sistemeve të mbrojtjes izraelite ishte mjaft e lartë, shkruajnë mediat e huaja.

Bëhet e ditur se mbrojtja nga sulmet e Iranit i kushtoi izraelitëve 4-5 miliardë shekelë (mbi 1 miliard euro).

“Nëse po flasim për raketat balistike që duhet të rrëzohen me sistemin Arrow, raketat lundruese që duhet të rrëzohen me të tjera raketa dhe sisteme, atëherë shtoni kostot 3.5 milionë dollarë për një raketë Arrow, 1 milion dollarë për një Hobe David. Në total, diku rreth 4-5 miliardë shekelë”, tha Aminoach.

Gjithashtu, gjenerali foli edhe rreth vendimit të Ministrit të Financave të Izraelit, Bezalel Smotrich, për të shtyrë blerjen e aeroplanëve të rinj luftarak nga SHBA-ja.

“Aktualisht, Thesari i vendit për arsyet e veta po i ndalon porositë nga SHBA-ja dhe po flasim për aeroplanë që i zëvendësojnë ata ekzistues”, tha gjenerali.

“Unë nuk merrem me çështje politike, vetëm dua të them qartë se nëse dëshironi të ndaloni kërcënimet nga jashtë, ju duhen aeroplanët porosia e të cilëve është ndaluar”, shtoi Aminoach.