Tensione në Bruksel, policia mbyll takimin e të djathtës ekstreme të Orban e Farage

Një takim në Bruksel i politikanëve evropianë të së djathtës ekstreme, nacionaliste u ndërpre të martën nga policia.


Në takim ishte parashikuar të mbanin fjalën kryeministri hungarez Viktor Orbán, politikani francez i ekstremit të djathtë Eric Zemmour dhe ish-kryeministri polak Mateusz Moraëiecki.

Politikanët e djathtë do të flisnin në konferencën dy-ditore të Konservatorizmit Kombëtar në Bruksel, e cila kishte mundur të siguronte një sallë për mbajtjen e eventit pas shumë përpjekjesh në kryeqytetin belg.

Themeluesi i Partisë Brexit Nigel Farage, po i drejtohej të pranishmëve kur policia mbërriti me një urdhër për të mbyllur eventin.

Ndërhyrja e policisë ndodhi rreth orës 12:30 të paradites.

Euroneës shkruan se një oficer policie u tha organizatorëve të ngjarjes se “autoritetet kanë vendosur të mbyllin takimin”.

Oficeri shtoi se ai kishte një dokument prej tre faqesh që përshkruan arsyet për mbylljen, të cilat ishin kërkuar nga kryetari i bashkisë lokale.

Konservatorët Kombëtarë janë një aleancë politikanësh, figurash publike dhe studiuesish të lidhur zakonisht me të djathtën populiste që përkrah vlerat konservatore dhe nacionaliste, të njohur për qëndrimin e tyre të fortë euroskeptik dhe anti-emigracion.

Duke folur me gazetarët jashtë sallës, organizatori Tony Gilland – i cili është shefi i stafit për MCC Bruksel, një institut i financuar nga Orbán që sponsorizoi eventin – njoftoi një protest më vonë gjatë ditës për të kundërshtuar vendimin.

Ish-sekretarja e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, Suella Braverman, ishte gjithashtu e pranishme dhe iu drejtua audiencës pasi policia mbërriti në vendngjarje.

Emir Kir, kryebashkiaku i lagjes Saint-Josse Ten Noode të Brukselit, konfirmoi në platformën e mediave sociale X se ai kishte urdhëruar ndalimin e ngjarjes për të “garantuar sigurinë publike”.

“E djathta ekstreme nuk është e mirëpritur,” tha Kir.

Dy vende të tjera në Bruksel, përfshirë hotelin e famshëm Sofitel pranë institucioneve të BE-së, ditët e fundit kishin refuzuar të organizonin konferencën.

Nigel Farage u tha të pranishmëve se vendimet për të anuluar takimin ishin “absolutisht të egra”. Sipas organizatorëve, rreth 600 pjesëmarrës pritej të merrnin pjesë në këtë rast.

Përplasja vjen më pak se dy muaj përpara zgjedhjeve evropiane, me sondazhet që parashikojnë një rritje të mprehtë të mbështetjes për partitë e së djathtës ekstreme dhe euroskeptike.

Duke iu përgjigjur ndërhyrjes së policisë të martën, National Conservatism tha se konferenca ishte “jashtëzakonisht paqësore” me “absolutisht asnjë shqetësim publik”.

Ata i bënë gjithashtu një ftesë kryetarit të bashkisë së Saint Josse, Emir Kir, për t’iu bashkuar diskutimeve.