Së fundmi, rojet iraniane kanë sekuestruar një anije në ngushticën e Hormuzit që sipas tyre ka lidhje me Izraelin.


Nga pamjet e publikuara, shihet një helikopter i forcave speciale të marinës së Iranit i cili qëndron mbi anijen me flamur portugez.

E me sa duket, ky nuk ishte akt piraterie por ishte paralajmërim nga një shtet që ka kohë që e ka kërcënuar Izraelin se do ta sulmojë.

Bëhet e ditur se përmes asaj ngushtice çdo ditë kalojnë sasi të mëdha nafte dhe gazi, andaj nëse ajo mbyllet do të ketë pasoja të mëdha për tregtinë globale. Me një fjalë, do të shkaktonte kaos.

Por pse iranianët e kanë bërë këtë?

Anija MSC Aries, edhe pse me flamur portugez, ka lidhje me kompaninë Zodiac Maritime e cila është në pronësi të miliarderit izraelit, Eyal Ofer.

Duke e pasur parasysh që tensionet midis Izraelit dhe Iranit kohëve të fundit janë jashtëzakonisht të larta, inteligjenca amerikane pretendon se edhe një sulm tjetër me raketa ndaj Izraelit si hakmarrje për sulmin në Damask nuk është larg.

Dhe marrja e anijes thuhet se po i dërgon sinjale dhe paralajmërime shtetit izraelit.

Gjithashtu, është mesazh edhe për aleatët e Izraelit se Irani mund ta mbyllë ngushticën e Hormuzit dhe të shkaktojë kaos.