Siguria do të rritet para dhe gjatë ndeshjeve në kuadër të Ligës së Kampionëve këtë javë, pasi një medium që mbështet grupin ekstremist, Shteti Islamik (IS), ka publikuar kërcënime kundër këtyre organizimeve.


Ministrat në Francë dhe Spanjë e kanë konfirmuar rritjen e masave të sigurisë.

Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka thënë se është në dijeni për kërcënimet, mirëpo që lojërat në Madrid, Paris dhe Londër do të zhvillohen sipas planeve.

Ministri i Brendshëm francez Gerald Darmanin, ka thënë se do të ketë masa të konsiderueshme të sigurisë afër stadiumit ku do të përballen ekipet PSG dhe Barcelona, të mërkurën.

“Ju kujtoj se vetëm 10 ditë më parë, IS e ka shpërndarë fotografinë e stadiumit të Munihut dhe ka thënë se duhet marrë masa kundër organizimeve sportive – ndonëse të gjitha sportet mund të shënjestrohen. Duke marrë parasysh sa e rëndësishme është Liga e Kampionëve për futbollin, natyrisht që do të flasim me partnerët”.

Pamjet e platformës së afërt me IS-in nuk i janë referuar ndonjë organizimi në veçanti, dhe nuk janë përhapur prej vetë grupit.

Dy çerekfinale do të mbahen këtë javë në Madrid.

Real Madririd përballet të martën me Manchester Cityn, ndërsa Atletico Madrid përballet me Borussia Dortmundin të mërkurën.

Pilar Alegria, ministre për Sporte në Spanjë, ka bërë thirrje për qetësi para lojërave në Madrid dhe ka thënë që më shumë se 2.000 zyrtarë policorë dhe zyrtarë civilë janë të angazhuar.

Po të martën në Londër përballen Bayern Munich me Arsenalin.

“Ne jemi në dijeni për raportimeve online lidhur me thirrjet për t’i shënjestruar ndeshjet nëpër Evropë dhe këtu në Londër. Megjithatë, dua të siguroj publikun dhe kemi një plan për ndeshjen e sotme dhe do ta vazhdojmë të punojmë me ekipin e sigurisë për të garantuar që ngjarja zhvillohet paqësisht”, ka thënë Zëvendës-ndihmës komisionari i Policisë së Londrës, Ade Adelekan.

Gjermania do të jetë nikoqire e Kampionatit Evropian Euro 2024 më vonë gjatë vitit.

E pyetur muajin e kaluar rreth kërcënimeve për sigurinë e stadiumeve, ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser, ka thënë se “rreziku ka arritur në tjetër nivel”.

“Shteti po armatoset edhe më fuqishëm ndaj çdo lloj kërcënimi”, ka shtuar ajo. /REL