Një video e publikuar së fundi në kanalin YouTube “Politic Radar” nga blogeri moldav, Ion Harghel, tregon se Milenko Nedelkovskin, gazetar nga Maqedoninë e Veriut, ka marrë fonde të konsiderueshme për përhapjen e propagandës në favor të Rusisë.


Videoja zbulon se Nedelkovski është pjesë e rrjetit të “Asociacionit të Gazetarëve për Luftën për Liri” (AJKF) organizatë pro-ruse, e cila është një front influencues për shërbimet e inteligjencës ruse. AJKF bashkëpunon me gazetarë të ndryshëm në Evropë duke financuar projektet e tyre mediatike përmes granteve.

Si shembull, citohen pesë grantet nga AJKF me vlerë totale prej rreth 100.000 euro, për të cilat Nedelkovski ka aplikuar në vitin 2015. Menjëherë pasi grantet e tij u miratuan, Nedelkovski filloi të postonte video dhe tekste në YouTube që përhapnin propagandë ruse dhe narrativa të rreme të drejtuara kundër aleatëve perëndimorë të vendit.

Gjatë vitit 2016, Nedelkovski në emisionin e tij e prezantoi idenë se BE-ja, NATO-ja dhe SHBA-ja planifikonin rrëzimin e qeverisë në Maqedoninë e Veriut, për të cilën ai mori 18.000 euro. Për projektin propagandistik lidhur me ngjarjet në Lagjen e Trimave në Kumanovë, në vitin 2015, Nedelkovski ka publikuar një lajm të rremë se katër anëtarë të grupit të armatosur janë shtetas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ose të Mbretërisë së Bashkuar dhe për këtë ka marrë 22 mijë euro nga AJKF.

Nedelkovski publikon edhe përmbajtje në lidhje me luftën në Ukrainë, si për shembull një video ku feston “çlirimin” e Mariupolit. Videoja konstaton se padyshim që aktivitetet mediatike të Nedelkovskit në periudhën 2015-2018 kanë ndikuar seriozisht në polarizimin e shoqërisë maqedonase në nivel ndëretnik dhe ka pasur rrezik për të rrezikuar sigurinë e RSM-së.

Sikurse aktorët e tjerë të ngjashëm me të, edhe Nedelkovski në postimet e tij paraqitet si një patriot i vërtetë dhe premisa bazë e ideve të tij është se Perëndimi është i keq dhe imoral dhe se shpëtimi dhe çlirimi i vërtetë vjen nga Moska. Për shkak të gjithë kësaj, video dërgon një mesazh se duhet pasur kujdes se çfarë produkte mediatike konsumohen.