Ndërsa Kurti përpiqet ta rrëzojë Ali Ahmetin nga pushteti, deputetja e BDI-së përballet me përfaqësuesit serbë për Kosovën

Në zgjedhjet në Maqedoni të Veriut (si presidenciale, ashtu edhe parlamentare), kryeministri Albin Kurti, është duke bërë fushatë për ta rrëzuar Ali Ahmetin, nga pushteti atje, mirëpo përkundër kësaj përpjekje të Kurtit, zyrtarët e partisë që e udhëheqë Ahmeti, Bashkimi Demokratik për Integrim, po lobojnë për Kosovën, madje po përballen me përfaqësues të Serbisë në momente delikate për të ardhmen e vendit, siç është anëtarësimi në organizata ndërkombëtare.


Kosova së fundmi kaloi me sukses edhe fazën e dytë për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, pasi që Asambleja Parlamentare e kësaj organizate votoi pro raportit të raportueses së Kosovës në KiE, Dora Bakoyannis.

Në debatit që u zhvillua brenda Asamblesë Parlamentare të KiE-së, ku kundërshtimet e përfaqësuesve serbë ishin të ashpra, njëra nga ato që u përballë me to dhe që ngriti fuqishëm zërin pro Kosovës, duke argumentuar se pse Prishtina duhet të anëtarësohet në këtë organizatë ishte pikërisht deputetja e BDI-së, Arta Bilalli.

“E vlerësoj shumë raportin pozitiv nga zonja Bakoyannis. Nuk pajtohem me opinionet që ky anëtarësim do të krijonte konflikte të reja në Evropë…”, tha ndër të tjera deputetja e partisë së Ahmetit, duke iu kundërpërgjigjur kështu përfaqësuesve serbë të cilët kategorikisht e kundërshtonin që Kosova të bëhej pjesë e kësaj organizate të rëndësishme ndërkombëtare.

Përveç kësaj, Bilalli, në fjalën e saj, nuk harroi të përmend edhe familjen legjendare të kryekomandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Jashari, e cila dha gjithçka për çlirimin e Kosovës.

“Po të kishte çmim për liri do t’i jepej familjes Jashari nga Prekazi i Kosovës. 56 anëtarë të saj janë vrarë për një ditë të vetme. Ai çmim Nobel nuk iu është dhënë familjes Jashari, por duke përkrahur këtë raport do t’i japim Kosovës një ulëse në familjen e madhe evropiane të cilës i përkasin”, shtoi Bilalli.

Për të argumentuar tutje se pse Kosova duhet të bëhet pjesë e KiE-së, deputetja shqiptare në Maqedoni të Veriut ka pyetur se “a është krijuar ky këshill për të ndalur luftën midis shteteve të ndryshme në Evropë”?, duke u përgjigjur se kjo gjë “nuk tingëllon mirë” dhe se një konstatim i tillë “nuk i përshtatshëm dhe është në kundërshtim me qëllimin kryesor të KiE-së”.

Ajo përmendi edhe faktin se të gjitha vendet demokratike ftojnë Kosovën dhe Serbinë për dialog mes tyre, prandaj, në vlerësimin e saj, anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë do ta përforconte dhe do ta shtynte përpara këtë proces.

“Sepse do t’i kemi dy palë të barabarta në dialog dhe barazia është një vlerë thelbësore e KiE-së”, argumentoi Bilalli.

Ky nuk është rasti i vetëm kur përfaqësuesit e BDI-së dalin në mbështetje të parezervë për Kosovën. Këtë e kanë bërë edhe më herët – shumë herë madje. Edhe vetë Ahmeti, por edhe përfaqësuesit e tij në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.

Bujar Osmani, si Ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, vazhdimisht ka ngritur zërin për Kosovën, posaçërisht në ato organizata ndërkombëtare në të cilat Kosova nuk anëtare.

Rasti i fundit, që e tregoi edhe vetë Osmani, ka qenë biseda që ai ka pasur me homologun e tij ukrainas, të cilit i ka kërkuar që ta përkrah Kosovën për t’u anëtarësuar në KiE, ndonëse Ukraina është nja nga vendet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Kurti, tanimë edhe zyrtarisht është përfshirë në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut, duke marrë pjesë në tubime që i organizon koalicioni i partive opozitare shqiptare “VLEN”, të cilin e përkrah dhe brenda listave të të cilëve ka futur kandidatë për deputetë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurti do të marrë pjesë një tubim që është organizuar nga “VLEN”-i në Berlin të Gjermanisë, që do të mbahet më 19 prill, katër ditë para raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale.

Aty, së bashku me Kurtin, do të jenë edhe liderët e tjerë të koalicionit “VLEN” – kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, kandidati i tyre për president të Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, lideri i Alternativës, Afrim Gashi, kreu i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, si dhe përfaqësuesi i VV-së Maqedoni të Veriut, njëherit këshilltar i Kurtit, Bekim Qoku.

Njoftimi për pjesëmarrjen e kryeministrit Albin Kurti në tubimin e VLEN-it.
Maqedonia e Veriut në fund të prillit dhe në fillim të majit do të përballet me procese elektorale. Fillimisht do të jenë ato presidenciale, raundi i parë më 24 prill, ndërsa i dyti më 8 maj, së bashku me ato parlamentare.

Në kampin shqiptar në zgjedhjet presidenciale do jenë dy kandidatë, nga 7 gjithsejtë. Bujar Osmani nga koalicioni “Fronti Evropian” – që përbëhet nga disa parti shqiptare dhe parti të minoriteteve – i ideuar nga kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Nga ana tjetër është Arben Taravari që ka mbështetjen e “VLEN”-it dhe të kryeministrit Kurti – madje kandidatura e kryetarit të Gostivarit për president ishte bërë pas një takimi që kishte pasur me Kurtin në Prishtinë, së bashku me partnerët e tij të koalicionit.

Ndërsa për zgjedhjet parlamentare, përveç mbështetjes, Kurti do të ketë në listat e “VLEN”-it edhe kandidatë për deputetë, 3 sosh, me në krye këshilltarin e tij, Bekim Qoku.

Duke mbështetur opozitën shqiptare, kryeministri është rreshtuar kundër partisë më të madhe shqiptare në Maqedoni të Veriut, Bashkimit Demokratik për Integrim, rrjedhimisht kryetarit të saj Ahmeti

Lidhur me ndërhyrjet e Kurtit në zgjedhje të Maqedonisë së Veriut ka folur edhe Ahmeti.

Në një intervistë për Albanian Post, ai ka treguar rreziqet malinje që mund të vinë në të ardhmen nga përfshirja e Kurtit në procesin elektoral të Maqedonisë së Veriut.

Kjo ndërhyrje e Kurtit, sipas liderit të BDI-së i hap rrugë apetiteve të vendeve tjera si Bullgaria dhe Serbia, të cilat mund të organizojnë partitë e tyre në Maqedoni të Veriut.

Përfshirja e Kurtit në zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare të vendit fqinj nuk është e para.

Ai edhe më herët kishte mbështetur kandidatin e pavarur shqiptar – të përkrahur nga opozita shqiptare – për president Blerim Rekën, duke vepruar ndryshe nga partia më e madhe shqiptare në Maqedoni të Veriut, BDI-ja.

Po ashtu, edhe në zgjedhjet parlamentare të 2021-së, Kurti kishte mbështetur opozitën shqiptare, përkatësisht koalicionin në mes të Aleancës për Shqiptarët të Ziadin Selës dhe Alternativës së Afrim Gashit./Albanianpost.com/