Nga minat e lëna nga forcat serbe në territorin e Kosovës, vdiqën qindra persona e po ashtu shumë u lënduan.


Petrit Loxha, oficer për operacione në kompaninë e deminimit të FSK-Së, tha se sipas statistikave zyrtare, 117 persona kanë humbur jetën nga mjetet shpërthyese pas luftës dhe 468 persona tjerë të plagosur, njofton klankosova.

Ndonëse planifikohej që këtë vit të mbaronte procesi i deminimit, Loxha tha për Klanin se një gjë e tillë duket se do të merr kohë edhe pak vite, për shkak të disa pengesave në proces.

”Plani kombëtar për largimin e mjeteve shpërthyese nga territori i Kosovës fillimisht ishte ideuar para pandemisë COVID-19 dhe luftës në Ukrainë që me zhvillime të përgjithshme globale ka krijuar pengesë dhe një vonesë në realizimin e këtij plani, që parashihet që të mbaroj në vitet në vijim, mirëpo jemi të lumtur të themi që zonat e banuara të vendit ku njerëzit mund të jenë të rrezikuar janë pastruar, ndërsa kanë mbetur diku edhe 66 zona të rrezikshme në Kosovë, kryesisht të përqendruara në zonat kufitare, pastrimi i të cilave të bëhet në vijim”, tha Loxha.

Loxha tregoi se rajonet më problematike vazhdojnë të mbeten zonat kufitare. Ndryshe, përveç punës për deminim të minave, FSK-ja këtë vit u angazhua edhe në trajnimin e ushtarëve ukrainas për dominimin e mjeteve shpërthyese në vendin e tyre që gjendet në luftë.

Kronikë e zgjeruar nga Lirim Ramushi.