Kosovë/ 180 mijë pjesëtarë të diasporës u regjistruan deri tani

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi u prit sot nga U.d. Kryeshefi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati, për të marrë pjesë në konferencën për media të organizuar nga ASK në kuadër të takimeve të rregullta javore sa i përket ecurisë së procesit të regjistrimit të popullsisë.


Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), në mbështetje të plotë procesit të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave – ReKos 2024, dhe në mbështetje të Agjencisë së Statistikave të Kosovës që udhëheq më këtë proces, ka lansuar procesin e regjistrimin online të pjesëtarëve të Diasporës. Regjistrimi online i mërgatës sonë, po ndodh për herë të parë, dhe është proces i integruar në platformën e-Diaspora, që është iniciativë e MPJD-së për të mbështetur bashkatdhetarët tanë me shërbime të digjitalizuar, dhe njëherë për t’i afruar me vendin amë.

Zëvendësministrja Gashi derisa ka folur për rëndësinë e regjistrimit online të mërgatës, theksoi se pjesëmarrja e bashkatdhetarëve tanë në procesin e regjistrimit të popullsisë është jashtëzakonisht e rëndësishme ngase na ofron një pasqyrë të qartë të shpërndarjes së qytetarëve tanë nëpër botë, dhe përmes kësaj një mundësi më të madhe që të përfshijmë ata, përmes të dhënave që ofrojnë, në proceset e hartimit të politikave, strategjive e shërbimeve më të mira dhe përkitazi me nevojat e tyre.

“Përmes platformës eDiaspora, qytetarët tanë mund të regjistrohen nga cilido vend i botës, duke dëshmuar përmes këtij regjistrimi se ata janë pjesë e barabartë e shoqërisë tonë. Pjesëmarrja e mërgatës tonë në këtë proces është jashtëzakonisht e rëndësishme si për MPJD ashtu edhe për Republikën e Kosovës, ngase për herë të parë na ofron një pasqyrë të qartë për vendndodhjen e bashkatdhetarëve tanë si dhe kërkesa e tyre” tha zëvendësministrja Gashi.

Gashi theksoi se procesi i regjistrimit të popullsisë së Kosovës, është dhe mbetet një ndër proceset më të rëndësishme për vendin. Ajo bëri thirrje që të gjithë qytetarët dhe pjesëtarët e Diasporës sonë që të bëhen pjesë e këtij procesi dhe njëherit të adresojnë të gjitha paqartësitë që kanë në kuadër të kësaj platforme. Gashi bëri të ditur se deri tani janë regjistruar 180 mijë pjesëtarë të diasporës, nga të cilët afër 50 mijë janë regjistruar në kuadër të platformës eDiaspora.

Zëvendësministrja Gashi tha se nga ana e MPJD do të ketë aktivitetet të shtuara në kuadër të misioneve diplomatike dhe konsullore sa i përket informimit të drejtë dhe të saktë për procesin dhe mënyrën e regjistrimit përmes platformës eDiaspora, përfshirë numrat kontaktues dhe email adresën ku bashkatdhetarët tanë mund t’i drejtohen institucioneve tona për ndonjë paqartësi.