Komuniteti boshnjakë: Vendimi i Osmanit i guximshëm/ Ministri Osmani: Është obligim njerëzor

Mirënjohje nga komuniteti boshnjakë në Republikën e Maqedonisë, por edhe nga i pari i Diplomacisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, pas vendimit të ministrit Bujar Osmani që RMV të konsponsorizojë Rezolutën e OKB-së për përkujtimin e gjenocidit të Srebrenicës.


“Në fillim dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, mikun tim Bujar Osmani, për vendimin që jo vetëm ta mbështes këtë rezolutë, por edhe ta bashkësponsorizoj atë. Faleminderit, natyrisht, për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut!”, tha Elmedin Konakoviq, Ministër i Punëve të Jashtme të B&H

“Falënderoj Ministrin tonë të Punëve të Jashtme, z. Bujar Osmani për këtë gjest që tregon njerëzoren. Keni bërë një hap të madh. Jo vetëm për boshnjakët në rajon, por për të gjithë ata njerëz, të cilët respektojnë drejtësinë dhe paqen në mes popujve në Ballkan dhe më gjerë”, deklaroi Xhevad Hot, Kryetar i Këshillit nacional boshnjakë

“Mbështetjen që e dha Maqedonia e Veriut në këtë moment, nga prizmi juridik, e shoh si parandalim për gjenocide tjera në të ardhmen. Sepse, qëllimi i çdo sanksioni është prevenimi erga omnes për gjithë të tjerat, dhe dënim konkret për secilën vepër penale”, tha Edina Zekiroviq Fazlagiq, avokate.

“Atë që e bëri Ministria e Punëve të Jashtme e udhëhequr nga ministri Bujar Osmani, pardje kur e përcollëm ne si komunitet boshnjakë, thamë “Ju lumtë, vepër e mirë” . Mirëpo, dje dhe sot po e vërtetojmë se ka qenë vepër e guximshme, bazuar në reagimet që erdhën nga fqinjët Mersiha Smajlloviq, aktiviste qytetare.

Ndërkaq, kryediplomati Osmani ka vlerësuar se dënimi i një gjenocidi është detyrim njerëzor universal, dhe kjo nuk ndërlidhet me asnjë përkatësi.

“Është obligim njerëzor, të dënojmë, të promovojmë faktet, me qëllim që asnjëherë të mos përsëritet”, përfundoi Osmani.