Klopp zbulon se çfarë i tha De Zerbit pas ndeshjes dje

Jurgen Klopp i dha Roberto De Zerbit disa këshilla motivuese pas fitores 2:1 të Liverpoolit ndaj Brighton Hove & Albion të dielën.


“Të Kuqtë” me fitoren e djeshme morën edhe kryesimin në tabelën e Premierligës.

Pavarësisht humbjes së Brightonit, entuziazmi rreth De Zerbit nuk është zbehur, me shumë njerëz që vlerësojnë lart punën e tij.

Ai ka gjasa të largohet nga klubi anglez gjatë verës, me disa klube të mëdha të interesuara për të duke përfshirë Bayern Munichin, Milanin, por edhe Liverpoolin.

Duke folur për “BBC” pas ndeshjes, Klopp u pyet se çfarë i tha De Zerbit pas ndeshjes, pasi dyshja u panë të buzëqeshur dhe të përqafuar.

“I thashë De Zerbit që të vazhdojë ta kthejë botën e futbollit ‘përmbys’. Do ta shikoj nga distanca. Unë e respektoj shumë atë që ai po bën”, tha gjermani.

“Është e pabesueshme ajo që ka bërë, Brighton ka humbur Alexis Mac Allister dhe Moises Caicedo, ata kanë shumë lëndime, por ai bashkon një ekip të tillë. Një punë e pabesueshme”, deklaroi Klopp.