Ja sa përqind votuan qytetarët e RMV-së deri ora 17:00

Pjesëmarrja në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale deri në orën 17:00 të pasdites së sotme është 44,18 për qind, tregojnë të dhënat e Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) nga 1788 vendvotime, shkruan TS.


Nga gjithsej 899.977 votues të regjistruar, në këto vendvotime kanë votuar 397.612 votues, ose 44,18 për qind, informoi në konferencë për media kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski.

Pjesëmarrja më e madhe prej 67,19 për qind është në Novaci, ndërsa më e ulëta në Pllasnicë, 15,5 për qind.

“Deri më tani në të gjitha vendvotimet votohet në mënyrë të qetë”, tha Dashtevski.

Krahasuar me raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2019, deri në orën 17:00 në këto zgjedhje ka një pjesëmarrje më të madhe me rreth nëntë për qind.

Deri më tani në KSHZ janë dorëzuar 308 kundërshtime për mbrojtjen e të drejtës personale të votës, nga të cilat 75 janë pranuar dhe votuesve iu është dhënë mundësia të ushtrojnë të drejtën e votës, 25 janë refuzuar si të parregullta. 38 janë refuzuar, ndërsa pjesa tjetër janë në procedim./TS