Haxholli thotë se mbi 300 kosovarë po mbahen të bllokuar nga Serbia në pikëkalimin me Kroacinë

Autobusët me udhëtarë kosovarë të bllokuar nga Serbia


Sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli, ka thënë se Serbia është duke i mbajtur të bllokuar ‘së paku katër autobusë” me udhëtarë kosovarë në pikëkalimin me Kroacinë.

Ai ka thënë se ky veprim i Beogradit po ndodh si hakmarrje dhe shprehje nervozizmi pas vendimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në favor të Kosovës.

“Bllokimi i mbi rreth 300 qytetarëve, duke ua mbajtur pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit, është shkelje flagrante jo vetëm e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe e të drejtave universale të njeriut të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare. Vetëm regjimet më autoritare i bllokojnë udhëtarët e një vendi tjetër, me shpjegimin ‘ky është një urdhër nga Beogradi’”, ka shkruar Haxholli, transmeton KlanKosova.tv.

“Duke qenë që Zyra Ndërlidhëse serbe nuk po komunikon me Zyrën tonë, siç ndodhi edhe këtë mëngjes, kam kërkuar dhe jam në pritje të përcjelljës së afërt, që të udhëtoj drejt pikëkalimit Batrovci, për t’ju gjetur pranë bashkëqytetarëve tanë dhe në shenjë proteste ndaj këtij zhvillimi”.