Gjakovë: Aktakuzë ndaj personit që e vrau vrasësin e babait duke shtënë 28 herë në të

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit D.Ll., për shkak të veprës penale “vrasje”.


Sipas aktakuzë, ndër të tjera ceket se i pandehuri D.Ll., më 12 korrik të vitit  2003 në fshatin Raçë ta Gjakovës e ka privuar nga jeta viktimën N.N., për gjakmarrje.

“Në atë mënyrë që për shkak të vrasjes së babait të tij, të cilin para 12 vitesh e kishte privuar nga jeta i ndjeri N.N., ditën kritike i pandehuri, shkon në vendin e lartcekur me veturën e tij Golf 3, ngjyrë e kuqe, duke i përcjellë lëvizjet e tani të ndjerit dhe kur i njëjti ka hyrë në dyqan “V…”, për të blerë ca gjëra ushqimore, i pandehuri D.LL., e pret e me të vërejtur se del nga dyqani prej një afërsie shtënë në drejtim të tij 28 herë në pjesë të ndryshme të trupit, dhe kur viktima bie përtokë, i pandehuri përsëri shtënë në drejtim të kokës së viktimës, duke i shkaktuar plagë të shumta me armë në kokë, gjoks dhe gjymtyrë, nga plagët e marra viktima ka mbetur i vdekur në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e prokurorisë, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, bëhet e ditur se i pandehuri që nga koha e kryerjes së veprës penale ka qenë në arrati, ndërsa i njëjti është arrestuar me urdhër arrest ndërkombëtar dhe është ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për në Kosovë.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë”, thuhet në njofitm.