Gashi zotohet nga Gostivari, …do të falimentojë krejt shteti!

“Ky shtet o do të bëhet i drejtë e pa korrupsion o do të falimentojë krejt”. Ky ishte zotimi i kreut të Alzernativës, Afrim Gashi në përmbyllje të fushatës për garën presidenciale në Gostivar.
Sipas tij, kryefjala e angazhimit politik të koalicionit VLEN është pikërisht drejtësia dhe lufta kundër korrupsionit.
Prandaj, “mund t’ju them se për temat e tjera edhe mund të bëjmë ndonjë kompromis për mënyrat dhe afatet e realizimit, por le ta dinë edhe partnerët tanë të nesërm qeveritarë se kur bëhet fjalë për këtë çështje, aty nuk kemi asnjë tolerancë dhe asnjë kompromis”.


Ndërkaq, mijëra qytetarë të Gostivarit kanë konfirmuar se janë pro ndryshimit dhe se me 24 prill do ta votojnë për President Arben Taravarin.

Sipas Gashit, Taravari nuk është kandidat vetëm i koalicionit VLEN, por është emri i përveçëm i përfaqësimit të shqiptarëve në këtë garë zgjedhore.
“Dr. Arbeni është në këtë garë për ta bërë betejën si shqiptar dhe për të kaluar në raundin e dytë, në mënyrë që shqiptari në këtë vend të mos jetë vetëm dekor, por të jetë ofertë e cilësi me përmbajtje, që është alternativë për krizën e përgjithshme të përfaqësimit që e ka kapluar këtë shtet”, ka thënë Gashi.