Festa e Fitër Bajramit ka reduktuar aktivitetet parazgjedhore të kandidatëve për president të “Frontit Evropian” dhe koalicionit “Vlen”, Bujar Osmanit dhe Arbën Taravarit.


Por, kjo nuk do të thotë se ata nuk kanë qenë aktiv gjatë kësaj periudhe – të paktën nëpër rrjetet sociale.

Një natë para festës së Fitër Bajramit, Bujar Osmani, bashkë me fqinjtë e mëhallës kanë bërë pastrimin gjeneral të hapësirës së përbashkët. Osmani thotë se ky aksion është pjesë e një tradite.

Por, jo vetëm kaq. Osmani, sic shihet në postimin e tij në Facebook, ka vizituar edhe esnafin e Çarshisë së Shkupit.

“Njerëzit shpesh thonë se motivimi nuk zgjatë. Mirëpo, s’ka si të humbet motivi kur jemi të rrethuar me njerëz të mirë! Kujtoj thënien e ish presidentit amerikan, Woodrow Wilson, që thotë: “Miqësia është e vetmja çimento që do ta mbajë botën të bashkuar”! – e ka përshkruar Osmani këtë aktivitet nëpër rrjetet sociale.

Arben Taravari, mesazhin e urimit me rastin e Fitër Bajramit e ka dërguar nga Xhamia e Larme në Tetovë.

“Shfrytëzoj rastin që cdo besimtari mysliman t`i uroj festën e Bajramit. Dëshiroj të kalojnë caste dhe momente sa më të mira me familjet e tyre duke uruar shëndet, mbarësi dhe fat” – tha Taravari, VLEN.

Ndryshe, festën e Fitër- Bajramit e kanë uruar krerët më të lartë të vendit.

“Të gjithë bashkë të ndajmë vizionin me më të afërmit dhe fqinjtë për mirëqenie, prosperitet dhe zhvillimin e atdheut tonë të përbashkët” – thuhet në urimin e Presidentit aktual, Stevo Pendarovski.

“Festat fetare e ngrenë lart dashurinë ndaj njeriut, kështu që muajin që lamë pas treguam se nuk ka rëndësi se cilës fe i përkasim, por rëndësi ka respekti dhe mirëkuptimi i ndërsjellë, që na bëjnë të gjithëve më të mirë dhe më të pasur shpirtërisht” – shkruan në urimin e tij, Kryeparlamentari Jovan Mitreski.

“Ne, si politikan, do të mbështesim akoma më fortë ndërtimin e shtetit tonë të përbashkët, duke plotësuar të drejtat dhe obligimet e çdo një komuniteti, për të vazhduar storjen e suksesshme të shtetit multietnik në rajon, i cili në kohën e sfidave globale u tregua tejet i nevojshëm për familjen e shteteve evropiane” – thuhet në urimin e Kryeministrit Talat Xhaferi.

Festën e Fitër Bajramit e kanë uruar edhe krerët e institucioneve por edhe të partive politike në vend.