BDI: Të mbështesim në mënyrë masive kandidaturën e dr. Bujar Osmanit

Në mesnatë filloi fushata zgjedhore për zgjedhjet presidenciale të caktuara për 24 prill. Me këtë rast, Bashkimi Demokratik për Integrim fton partitë politike – pjesëmarrëse në zgjedhjet e 24 prillit, të bëjnë fushatë të qetë, demokratike dhe të bazuar në program dhe ofertë konkrete.


Njëkohësisht, ftojmë aktivistët dhe qytetarët të përmbahen nga provokimet e mundshme që mund të vijnë nga qarqe të ndryshme që duan destabilizimin e vendit, frikë dhe krizë në prag të zgjedhjeve presidenciale të 24 prillit.

Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Fronti Europian, janë të bindur se më 24 prill, do të ngadhënjejë kandidati për president, dr. Bujar Osmani, njëjtë sikurse më 8 maj – në zgjedhjet parlamentare, koalicioni “PO Europës, JO Rusisë” do të shënojë fitoren më të thellë të shënuar ndonjëherë në Maqedoninë e Veriut.

Programi dhe oferta e Presidentit në ardhje, dr. Bujar Osmani, do të prezantohet qytet më qytet, fshat më fshat dhe derë më derë, ndërsa do të tregojmë se vota për kandidatin me numër rendor 4, është votë për një Maqedoni evropiane dhe për një të ardhme të sigurt dhe prosperuese për secilin qytetar të vendit.

Duke uruar për një fushatë europiane, Bashkimi Demokratik për Integrim fton qytetarët të mbështesin në mënyrë masive kandidaturën e dr. Bujar Osmanit dhe me këtë, të vazhdojmë rrugën euroatlantike dhe anëtarësimin sa më të shpejtë të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian.