Atletico më e dobët nën drejtimin e Simeones: 61 gola të pësuara, mbrojtja e tmerrshme

Atletico Madridi nuk ka qenë kurrë më i dobët nën drejtimin e Diego Simeones.


“Los Colchoneros” u eliminuan mbrëmë nga Liga e Kampionëve pasi u mposhtën nga Borussia Dortmundi në ndeshjen e kthimit çerekfinale.

Skuadra e “Cholos” gjithmonë është shquar për mbrojtje mjaft stabile, por në këtë edicion gjërat nuk po shkojnë si duhet për ekipin nga “Wanda Metropolitano”.

Gjithcka nisi me pesë golat e pësuar në Superkupë me Real Madridin, ndërsa më pas pasuan tre golat nga Athletic Bilbao në Copa del Rey.

Në fund, “pokeri”, respektivisht katërgolëshi i pësuar mbrëmë nga skuadra e Terzic e ngriti në 61 numrin e golave të pësuar deri tash.

Bëhet fjalë për statistikat me të këqija të trajnerit argjentinas në bankinën e klubit spanjoll: në sezonin 2021/22, njëri prej sezoneve më të dobët për ekipin bardh e kuq nga Madridi, Oblak me hokë e kishin mbyllur sezonin me 57 gola të pësuar.

Duken larg kohërat e arta të Godin e Gimenez, të cilët “e blindonin” portën e sllovenit, për shembull në sezonin 2015/16, kur i kishin pësuar veç 31 gola në 57 ndeshje.

Ndoshta nuk do të ishte e ndershme të thuhet për përfundimin e një cikli, por për ta rikthyer Atleticon e tij që të jetë vërtet garues, Simeone duhet të punojë në këtë aspekt.