Aktakuzë kundër një kosovari për “krim kundër njerëzimit” në Siri dhe Irak

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër një shtetasi kosovar të premten, të cilin e akuzon për kryerje të “krimit kundër njerëzimit” në Siri dhe në Iran gjatë një periudhe trevjeçare nga viti 2014 deri më 2017.
Në një komunikatë për media të premten, Prokuroria tha se i dyshuari me iniciale M.D., ngarkohet gjithashtu për kryerjen e veprës penale “shkelje e rëndë e ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar”.


I dyshuari, i cili po mbahet në paraburgim, akuzohet se krimin e kishte kryer kundër vajzave dhe grave të komunitetit jezidi gjatë konfliktit në Siri dhe në Irak gjatë viteve 2014-2017.

Në vitin 2015, Kosova e futi në fuqi një ligj i cili e ndalon pjesëmarrjen në luftëra të huaja – i cili parasheh dënime deri në 15 vjet burgim për të akuzuarit.

Në një raporton dhjetorin e kaluar, Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) e kritikoi Kosovën për dënime të ulëta për akuzat e lidhura me terrorizëm.

DASH tha se në Kosovë gjatë vitit 2022, institucionet e drejtësisë vazhduan të shqiptonin dënime të ulëta për akuzat e lidhura me terrorizmin, dhe tha se ka edhe lirime të parakohshme për këto akuza.

Për disa vite me radhë prej vitit 2011, më shumë se 350 shtetas të Kosovës udhëtuan drejt Sirisë dhe Irakut. Është thënë se shumica prej tyre janë rreshtuar përkrah grupit militant Shteti Islamik.

Në prill të vitit 2019, Kosova i ktheu 110 shtetas nga Siria, në mesin e të cilëve katër luftëtarë të Shtetit Islamik, 32 gra dhe 74 fëmijë, ndërsa në korrik të vitit 2021, autoritetet kanë riatdhesuar edhe 11 shtetas nga Siria.

Sipas të dhënave të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), të publikuara në mars të vitit 2023, “shumica e të kthyerve, me të arritur në Kosovë, janë arrestuar dhe u janë nënshtruar proceseve gjyqësore kundër tyre”.

Sipas QKSS-së, një pjesë e tyre tashmë e kanë vuajtur dënimin në burg, por, duke marrë parasysh “nivelin e rrezikshmërisë që këta individë dhe kauza të cilën ata e përkrahën, paraqesin për sigurinë kombëtare të Kosovës dhe aleatëve të saj, institucionet e Kosovës obligohen që ta monitorojnë procesin e ndjeshëm të rehabilitimit të tyre dhe rikthimit në komunitet”.