Abdixhiku: Albin Kurti i ndau shqiptarët në Maqedoni. Urime fitoren Ali Ahmeti

“Sikur shqiptarët të bëheshin bashkë, me një kandidat, ata sot do të ishin në balotazh. Do të ishte rezultat historik.

Por shqiptarët u ndanë.
Në këtë ndarje, Kryeministri popullist i Kosovës dhe gjithë aparati qeveritar i tij, u bënë akter aktiv. Nga zyra e Kryeministrisë, Kosova, institucionet e Republikës, në vend të përpjekjes për përbashkim, bënë atë që dijnë të bëjnë mirë – të përçajnë e ndajnë! Bënë fushatë, bënë propagandë, ndotën njërin kandidat, për të përfunduar megjithatë në fund me rezultat katastrofal.
Fituesit i uroj që pavarësisht sulmeve institucionale nga Kosova, ruajtën maturinë. Ruajtën Kosovën. Humbësit, le të shikojnë nga përfaqësuesit e vet që u shndërruan në instrumente populliste të një partie polarizuese që përveç terr e përplasje – nuk di tjetër.
Kosova, duhet t’i rikthehet politikës unifikuese e përafruese mbarëshqiptare! Kaq duhet të jetë roli ynë normal! Të ndihmojmë jo të ndajmë. Rikuperimin e përplasjeve me shqiptarët në Maqedoni, Shqipëri e Luginë, do ta bëjmë me plot kujdes e përkushtim!” ka shkruar kreu i LDK-së së Kosovës, Lumir Abdixhiku./TS/