Barometri i EA: Shqipëria e do më shumë se Kosova bashkimin kombëtar
06.04.2024 11:00


Qilimi me flamurin kombëtar dhe atë të Kosovës, për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive shqiptare, nëntor 2021

Këtë të premte Barometri në Euronews Albania sjell mendimin e qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës, për çështjen e Bashkimit Kombëtar.

Në këtë studim të realizuar për herë të parë në të dy vendet mes 2065 të pyeturve ballë për ballë, në të dyja vendet, qytetarët shqiptarë janë vendosur përballë pyetjeve që kanë të bëjnë me dëshirën e tyre për bashkimin kombëtar dhe gjithçka që ka të bëjë me të.

Nga të dhënat e bëra publike në Barometri del qartë se Bashkimin Kombëtar e dëshirojnë në një përqindje më të lartë shqiptarët e Shqipërisë në krahasim me shqiptarët e Kosovës.

Ne pyetjen “pavarësisht rrethanave dhe mundësive ju personalisht sa e dëshironi Bashkimin Kombëtar mes Kosovës dhe Shqipërisë?”, 73.6 % e të pyeturve në Shqipëri përgjigjen “e dëshiroj”, ndërsa ata që e dëshirojnë në Kosovë janë 55, 4 % e të pyeturve nga Data Centrum.

Shumica e shqiptarëve në Kosovë e Shqipëri do votonin pro referendumit për bashkim

Qytetarët në Kosovë dhe në Shqipëri, në shumicë, janë shprehur për Barometrin se do të votonin pro nëse do të mbahej një referendum për Bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë.

Përkatësisht, janë 82,9% e të pyeturve në Shqipëri që do të votonin pro një referendumi të mundshëm, dhe në Kosovë pak më pak, në nivelin e 70,6 % e të pyeturve janë ata që do të votonin pro në një referendum për bashkimin.

Një përqindje shumë e vogël si në Kosovë edhe në Shqipëri është shprehur se do të votonte kundër në një referendum të tillë, përkatësisht 12,7 % e të pyeturve në Shqipëri, dhe 24,2 % në Kosovë. /EuronewsAlbania