Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka marrë vendim për ta çuar Beogradin në zgjedhje të reja pas konstatimeve nga OSBE-ja për manipulime të shumta me vota në zgjedhjet e dhjetorit atje.


Kryetari i zgjedhur i Beogradit, Aleksandar Shapiq, i cii vjen nga partia e Vuçiqit SNS, e dha këtë njofitm pas një mbledhjeje që pati kjo parti.

Zyra për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE-ODIHR), tha në raportin përfundimtar se zgjedhjet në Serbi u mbajtën në kushte të padrejta dhe u “dëmtuan nga retorika e ashpër, anshmëria në media, trysnia ndaj punonjësve të sektorit publik dhe keqpërdorimi i burimeve publike”.

Raporti paraqiti po ashtu propozimet për veprimet që duhet të marrin autoritetet serbe para zgjedhjeve të ardhshme.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se raporti i OSBE/ODIHR-it konfirmon shqetësimet e bllokut për procesin e zgjedhjeve në Serbi.

“Procesi elektoral në Serbi kërkon përmirësime të dukshme dhe reforma të mëtejshme, sepse funksionimi i duhur i institucioneve demokratike të Serbisë është në thelb të procesit të anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian”, tha Stano, shkruan “Zëri i Amerikës”.

Ai tha se raportet për parregullsi duhet të hetohen në mënyrë transparente, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me zgjedhjet lokale, ndërsa mirëpriti siç tha, gatishmërinë e autoriteteve në Serbi për të punuar në zbatimin e rekomandimeve.