Vendi drejt zgjedhjeve të parakohshme, krejt partitë gati

Albin Kurti (LVV), Memli Krasniqi (PDK), Lumir Abdixhiku (LDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK). Foto e montuar nga Klankosova.tv


“Për ne është krejt njësoj. Por, unë nuk mund të kem zgjedhje të parakohshme në Kosovë pa opozitën. Nëse opozita do zgjedhje të parakohshme, duhet të shpërbëhet Kuvendi. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nga viti 2020 nuk ka lënë mundësi të tjera. Pra, ne, për të pasur zgjedhje të parakohshme, duhet ta shpërndajmë Kuvendin… dhe le të mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme për ata që e kanë mendjen aty. Nuk kam unë problem për asnjërin variant. Shumë gjëra mund t’i bëj edhe pa opozitën, por jo edhe këtë”.

Kështu është shprehur kryeministri Albin Kurti kur është pyetur se a është duhet të ketë zgjedhje të parakohshme, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, në një intervistë të mbrëmshme në RTK, Kurti pati edhe një ofertë për opozitën.

Duke ia kujtuar gazetarja atij se opozita nuk i ka numrat për ta shpërndarë Kuvendin, ai tha: “Mund t’i bëjnë bashkë me neve, kjo është oferta ime”.

“Unë po them që po shkojmë në zgjedhje kur dëshiron opozita. Ne i ndihmojmë opozitës nëse dëshirojnë të shkojnë në zgjedhje”.

E kjo deklaratë e Kurtit ngjalli opozitën.

Kryeopozitari Memli Krasniqi i PDK-së, i tha se ka muaj që ka kërkuar shpërndarjen e Kuvendit, ndërsa shtoi se që nga sot i ka nënshkrimet e PDK-së.

“Kryeministër, prej korrikut të vitit të kaluar të kam ba thirrje e të kam pritë që me shpërnda Kuvendin. Prej nesër nënshkrimet e PDK-së janë gati. Çohu shkojmë në zgjedhje menjëherë – nëse ke guxim e të ka mbetë pak ndërgjegje për situatën e vështirë që e ke sjellë vendin”, shkroi Krasniqi dje në një postim në Facebook.

Edhe LDK-ja po deklarohet se është gati për zgjedhje.

Kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, gjatë një interviste televizive, tha dje se “nëse Kurti është dorëzuar, le të japë dorëheqje”.

“Le ta japë qartë, zëshëm, nëse është dorëzu e duket se është dorëzu, le të japë dorëheqje. Pra, nëse është dorëzu, le të japë dorëheqje. Por le t’ia shpjegojë popullit pse po i lë. LDK nuk bën mocion të shpërbërjes së Kuvendit, por është e gatshme për zgjedhje prej sot. Është e gatshme edhe për qeverisje pas zgjedhjeve”, tha Abdixhiku në T7.

“Nëse është dorëzu, le të japë dorëheqje. Po kërkon zgjedhje, të bëhet viktimë e të thotë më rrëzuan”, u shpreh kryetari i LDK-së.

Për zgjedhjet e parakohshme foli edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, i cili tha se në trevjetorin e Qeverisë Kurti, Kosova ka pësuar dëme e kthim në pikën më të errët.

Në një konferencë për media të premten, Tahiri tha se kryeministri i vendit Albin Kurti është dorëzuar dhe se po kërkon zgjedhje të parakohshme.

“Ne kemi përgatitur një kërkesë për një debat parlamentar në trevjetorin e kësaj keqqeverisje, e cila realisht ka arritur t’i bëjë vetëm dëme Kosovës dhe ta kthejë në pikën më të errët që nuk e ka besuar askush ndonjëherë. Mirëpo unë jam i kënaqur që dje kryeministri Albin Kurti e tha edhe vetë dhe e ka kuptuar edhe vetë se ai duhet të dorëhiqet dhe vendi të shkojë në zgjedhje. Kur në fillim të këtij mandati, kryetari (Ramush) Haradinaj thoshte se ky është një mashtrues, njerëzit shikonin me habi të madhe”, u shpreh Tahiri.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, të parakohshme, janë mbajtur më 2021. Në ato zgjedhje, LVV-ja fitoi mbi 50% të votave, kurse PDK-ja doli e dyta me 17%, LDK e treta me mbi 12% dhe AAK e katërta me mbi 7 për qind. Lista Serbe fitoi mbi 5% të votave. /Klankosova.tv