Ukraina: Sulmi në Moskë regji e Vladimir Putinit

Shërbimi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës ka akuzuar Kremlinin dhe shërbimet e tij speciale për organizimin e një sulmi vdekjeprurës brenda natës pranë Moskës për të fajësuar Ukrainën dhe për të justifikuar një “përshkallëzim” të luftës.


“Sulmi terrorist në Moskë ishte planifikuar dhe është një provokim i qëllimshëm nga shërbimet speciale ruse me urdhër të Vladimir Putinit. Qëllimi i tij është të justifikojë sulme edhe më të ashpra ndaj Ukrainës dhe mobilizimin e plotë në Rusi”, siguron GUR, duke konsideruar se sulmi “duhet të kuptohet si kërcënim i Putinit për të përshkallëzuar dhe vazhduar luftën”.

Sipas të dhënave fillestare, në sulmin në një sallë koncertesh në afërsi të Moskës, ku morën pjesë disa sulmues me uniforma kamuflazhi, të armatosur me armë automatike, më shumë se 40 njerëz vdiqën dhe më shumë se njëqind u plagosën.

Për momentin nuk dihet kush janë sulmuesit, ndërsa autoritetet ruse kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për një akt terrorist.