Tahiri: Kurti u dorëzua duke kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se në trevjetorin e Qeverisë Kurti, Kosova ka pësuar dëme e kthim në pikën më të errët.


Ai tutje në një konferencë për media, tha se kryeministri i vendit Albin Kurti është dorëzuar dhe se po kërkon zgjedhje të parakohshme.

“Ne kemi përgatitur një kërkesë për një debat parlamentar në trevjetorin e kësaj keqqeverisje, e cila realisht ka arritur t’i bëjë vetëm dëme Kosovës dhe ta kthejë në pikën më të errët që nuk e ka besuar askush ndonjëherë. Mirëpo unë jam i kënaqur që dje kryeministri Albin Kurti e tha edhe vetë dhe e ka kuptuar edhe vetë se ai duhet të dorëhiqet dhe vendi të shkojë në zgjedhje. Kur në fillim të këtij mandati, kryetari (Ramush) Haradinaj thoshte se ky është një mashtrues, njerëzit shikonin me habi të madhe”, u shpreh Tahiri.

“Ajo çka karakterizohet këto tri vite është me të vërtetë një qeverisje që nuk i qëndron asnjë vendimi mbrapa dhe siç e patë edhe vetë, kryeministri u dorëzua duke kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje”, tha mes tjerash ai, raporton EO, transmeton Klankosova.tv.