Riker: NATO-ja është siguri dhe qëndrueshmëri, ndërsa BE-ja mund të sigurojë prosperitet

NATO siguron mbrojtje dhe qëndrueshmëri, ndërsa BE-ja mund të sigurojë prosperitet. E ardhmja e vendit është në Union. Procesi është i vështirë dhe frustrues, ndonjëherë mund të jetë edhe dëshpërues, e keni kaluar gjithë këtë, por është e qartë se ky është rezultati më i mirë, porositi ish ambasadori amerikan në Shkup, Filip Riker në intervistë për televizionin Sitell.


“Ju do të mbeteni shtet sovran, por bëni përshtatje për të ecur përpara dhe për të qenë pjesë e diçkaje që është më e madhe dhe garanton një të ardhme më të mirë për vendin dhe gjeneratat që do të vijnë. Bëhet fjalë për një shtet të ri evropian, i cili ka histori të gjatë dhe madje që nga koha e Bizmarkut kur u fol për rëndësinë e çështjes maqedonase, për të sjellë stabilitet në Ballkan. Ne e kemi përgjigjen për këtë pyetje – vend demokratik, multietnik i integruar në NATO dhe BE”, theksoi Riker, i cili është gjithashtu ish-ndihmës sekretar i shtetit amerikan për Evropën dhe Euroazinë, përcjell PRESSonline.al

Vlerëson se integrimi në BE mund të jetë zgjidhje edhe për problemet me korrupsionin dhe sundimin e drejtësisë.

“Nuk do të thotë se do të eliminoni të gjitha problemet, por duke kaluar procesin e negociatave arrini një nivel vlerash të përbashkëta, të cilat reflektohen në procese. Sundimi i drejtësisë është çelësi për këtë, ai kurrë nuk është i përsosur, por duhet të jetë më i rëndësishëm. Gjyqësori i pavarur mund të sigurojë gjykime ligjore dhe këtë e duan qytetarët. Mendoj se kjo do të jetë pjesë e rrugës përpara dhe mendoj se e ardhmja e vendit është në BE”, tha Riker.

Përkujtoi se edhe rruga drejt NATO-s ishte e hapur me përshtatje dhe me, siç bëri të ditur, Marrëveshjen historike të Prespës.

“Tani ju jeni një partner dhe aleat i aleancës më të suksesshme të mbrojtjes. NATO është mbrojtje, mbrojtje kolektive, bashkëpunim dhe demokraci. Bëhet një grumbullim i vendeve që ndajnë të njëjtat vlera duke mbrojtur njëri-tjetrin nga sulmet, siç NATO mbrojti SHBA-në pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001. Në dy vitet e fundit që kur Putini sulmoi Ukrainën, ne shohim se sa e rëndësishme është ajo mbrojtje kolektive. Ne do të festojmë 75 vjetorin e NATO-s në samitin e kësaj vere në Uashington dhe jam krenar që Maqedonia e Veriut do të jetë atje me aleatët e tjerë”, tha Riker, përcjell PRESSonline.al

Në intervistë, Rikeri foli edhe për zgjedhjet e ardhshme në vend, duke theksuar se është më e rëndësishme që të jenë korekte dhe demokratike.

“Mendoj se mund ta presim këtë. Unë inkurajoj që fushata dhe zgjedhjet të jenë të drejta. Varet edhe nga qytetarët që do të marrin pjesë në zgjedhje dhe është një lloj detyrimi për të marrë pjesë në census. Mendoj se çdo qytetar duhet të mendojë më shumë për të ardhmen sesa për të kaluarën, të mësojë nga e kaluara dhe të mendojë se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen. E ardhmja e këtij vendi është integrimi i plotë në BE për të festuar ashtu siç festojmë anëtarësimin në NATO”, deklaroi Riker.

Përkujtoi se zgjedhje këtë vit do të ketë edhe në SHBA, presidenciale dhe në kongres, por, siç theksoi, nga përvoja e tij diplomatike 31-vjeçare, mundet me siguri të thotë se pa marrë parasysh rezultatin Maqedonia e Veriut nuk do të ketë mike më të mirë se SHBA-ja.