Qeveria anulon vendimin për dhënien e pronës për Trepçën, ndan edhe 31 mijë euro për Luginën

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhje në mënyrë elektronike, ku ka marrë dy vendime.


Njëri ka të bëjë me shqiptarët në Luginë të Preshevës, që përmban mbi 31 mijë euro.

“Vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore për mbështetje të Këshillit Nacional Shqiptar dhe përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, në vlerë prej 31,530.00 € (tridhjetenjë mijë e pesëqindetridhjetë euro) me qëllim të përkrahjes së aktiviteteve avokuese për çështjen e popullit shqiptar të Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, para institucioneve të Bashkimit Evropian, dhe kompensimit të mjeteve të zvogëluara nga Qeveria e Serbisë përmes ndarjes buxhetore për Këshillin Kombëtar Shqiptar”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Një vendim tjetër është ai për anulimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 14/186 të datës 24 janar, 2024.

Vendimi i datës 24 janar thoshte: “1. Aprovohet kërkesa me Nr. prot. 439 e datës 22 janar 2024 e Ndërmarrjes Publike ‘Trepça’ Sh.A. për marrje në shfrytëzim të pronës së ngastrës kadastrale me Nr. 3129 Kostin Potok, Majdevo – Leposaviq, pronar Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila menaxhohet nga Agjencia Pyjore e Kosovës”.

“2. Ngastra kadastrale me Nr. 3129 i jepet në shfrytëzim Ndërmarrjes Publike “Trepça” Sh. A. sipas pikës 1. të këtij Vendimi”.

“3. Obligohet Agjencia Pyjore e Kosovës dhe N. P. “Trepça” Sh. A, për zbatimin e këtij Vendimi në përputhje me legjislacionin në fuqi”.