Putin: Rusia është e gatshme të përdorë armë bërthamore, nëse rrezikohet sovraniteti i saj

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se Rusia është e gatshme të përdorë armë bërthamore, nëse kërcënohet shtetësia, sovraniteti apo pavarësia e saj. Ai, megjithatë, tha se shpreson e Shtetet e Bashkuara do të përmbahen nga veprimet të cilat mund të shkaktojnë konflikt bërthamor. Kjo deklaratë e Putinit është një tjetër paralajmërim i drejtpërdrejtë ndaj Perëndimit, para zgjedhjeve presidenciale, në të cilat ai e ka pothuajse të sigurt fitimin e mandatit të gjashtë si president. I pyetur në intervistë nëse e ka menduar ndonjëherë përdorimin e armëve bërthamore në fushëbetejë në Ukrainë, Putini theksoi se nuk ka pasur nevojë për një gjë të tillë. Ai gjithashtu shprehu bindjen se Moska do t’i arrijë synimet në Ukrainë dhe e mbajti të hapur mundësinë për bisedime, duke nënvizuar se nevojiten garanci të forta nga Perëndimi për një marrëveshje të mundshme.


“Moska është e gatshme të përdorë armë bërthamore, në rast se kërcënohet ekzistenca e shtetit rus, sovraniteti dhe pavarësia jonë. Trupat ruse janë vazhdimisht në një gjendje gatishmërie luftarake. Pastaj është edhe diçka tjetër e pranuar në masë të gjerë se triada jonë bërthamore, është më moderne se çdo treshe tjetër nukleare. Vetëm ne dhe amerikanët në fakt kemi triada të tilla. Dhe ne këtu i kemi avancuar shumë më tepër”, deklaroi Vladimir Putin, President i Rusisë.