Në Vlorë, vijojnë punimet në kantierin e aeroportit. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë Edi Rama ka postuar një video nga punimet.


Krahas videos, kryeministrin shkruan se puna po ecën me ritme të shpejta me qëllim që aeroporti të hapet vitin e ardhshëm.

Ulja e avionit të parë në aeroportin e Vlorës ishte planifikuar në fundin e vitit 2024, por është shtyrë për në verën e vitit 2025.

“MIRËMËNGJES dhe nga kantieri i punës në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës ku po punohet me ritme të shpejta për të qenë gati vitin e ardhshëm, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama.

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës (VIA) do të funksionojë me mbi 3 modele biznesi: aviacion civil, mirëmbajtje e avionëve, një kargo e mirëfilltë, e cila i mungon shtetit shqiptar.

Aeroporti i Vlorës, një investim mbi 100 milionë Euro, pritet që të hapë 1 mijë vende pune të reja, do të ulë çmimet e biletave dhe do ta kthejë Vlorën në portën më të rëndësishme turistike të rajonit.

Më 20 prill 2021 u nënshkrua kontrata me kompaninë fituese për ndërtimin e aeroportit të Vlorës dhe do të jetë i treti aeroport në vend ku fluturimet do të jenë transoqeanike.

Ndërkohë në projektbuxhetin për vitin 2024 planifikohen 51 milionë lekë për ndërtimin e rrugës lidhëse Aeroporti Ndërkombëtar të Vlorës (VIA) – autostrada Fier-Vlorë.