‘PS garante e vendosur e reformës në drejtësi’, Rama: Mbështetje pa kushte luftës kundër korrupsionit

“PS e kësaj gjenerate po shkruan një kapitull të ri në historinë e marrëdhënieve të pushtetit politik me drejtësinë, me vetëdije të plotë, me patriotizëm të vërtetë dhe me sensin më të lartë të përgjegjësisë për Shqipërinë e gjeneratës tjetër”. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në punimet e Asamblesë Kombëtare të PS-së.


Rama tha se “nëse nuk do të donim një drejtësi me duar të lira nga prangat 100 e sa vjeçare të pushtetit ekzekutiv, i kishim bërë të tëra pazaret e nevojshme për ta penguar ardhjen e kësaj kohe, kur për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar hetohen, gjykohen dhe dënohen individë të pushtetit më të lartë politik”.

“Thonë disa që e bënë amerikanët dhe nuk e bëmë ne. Po amerikanët këtu ishin edhe më përpara, aty janë edhe në vende të tjera të NATO apo pro NATO në rajon. Pse Shqipëria mos të ishte ende sot si këto vende të rajonit ku 3 prej tyre i kanë hapur negociatat më përpara se ne dhe asnjëra nuk e ka ndërmarrë reformën e thellë në drejtësi që u kërkohet nga BE ta bëjnë duke marrë si shembull Shqipërinë”, vijoi ai.

Kryeministri theksoi se “përgjigja është shumë e thjeshtë se në Shqipëri ka një parti që e kishte në programin e saj reformën në drejtësi që kur ishte në opozitë, që fitoi zgjedhjet duke premtuar reformën në drejtësi dhe që e bëri reformën në drejtësi. Se është një parti që thotë atë që bën dhe bën atë që thotë dhe që quhet Partia Socialiste e Shqipërisë.”, theksoi kreu i PS-së.

“Jo vetëm që s’ka shanc që kjo parti të kthehet nga flamur mbajtësja e reformës në drejtësi në flamur grisen e saj, por kjo parti do jetë garantja e vendosur duke i mbështetur pa kushte institucionet e drejtësisë në luftën kundër korrupsionit majtas dhe djathtas, lart e poshtë dhe duke i mbajtur larg duart e pushtetit të shumicës nga punët e pavarura të drejtësisë”, deklaroi Kryeministri Rama.