Ndihmuan kalimin e refugjatëve shqiptarë në Rozhajë, Kosovës dhe Malit të Zi u kërkohet ta njohin rolin e dy figurave

Dragisha Burzan, ish-zëvendëskryeministër i Malit të Zi dhe Shemso Dedeiq, ish-shefi i policisë


Në 25-vjetorin e nisjes së bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë, është korrespondenti malazez, Zoran Kusovaq, që ka sjell rrëfimin e tij për kalimin e refugjatëve shqiptarë në Rozhajë.

Ai ka theksuar rolin e dy figurave, që sipas tij, kishin mundësuar kalimin e shqiptarëve në Mal të Zi.

Fjala është për ish-zëvendëskryeministrin Dragisha Burzan – Gisha dhe të ish-shefit të policisë, Shemso Dedeiq.

“Në 25-vjetorin e bombardimeve të NATO-s, ju kërkoj autoriteteve të Kosovës dhe të Malit të Zi që ta njohin përfshirjen vendimtare të Dr. Dragisha Burzan dhe të Shemso Dedeiq. Iniciativa, zgjidhja, vullneti dhe kurajë e tyre shpëtoi mijëra jetë”, ka shkruar Kusovaq, duke etiketuar drejtuesit shtetërorë të Kosovës, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti dhe Jakov Milatoviq e Milojko Spajiq të Malit të Zi.

Në disa statuse të tij në X, ai nis së shpjeguari gjithçka – nga bisedat me zëvendëskryeministrin dhe deri tek situata që po kalonin shqiptarët.

“Më 25 mars, në hotelin ‘Casablanka’ në Mal të Zi, që besohet se ishte plotë spiunë, kisha një drektë me zëvendëskryeministrin Burzan, i njohur moti. Ai ishte një fizikan bërthamor, anëtar i Partisë Socialdemokrate. Rreth orës 20:00 ra zilja e telefonit të tij: ‘Bëre mirë’, i tha ‘Më njofto nëse do të ketë të tjerë’”.

“Ai më tha ‘serbët po i përzënë me forcë shqiptarët nga Kosova. 150 arritën në Rozhajë për vetëm 2 orë. Shefi i policisë ishte nga ana e tij, shpjegonte ai dhe tashmë kishte vendosur refugjatët në një shkollë lokale, u kishte dhënë ushqim dhe batanije. Pas një ore një thirrje tjetër. ‘1,000 tashmë’ njoftonte Gisha. Në mesnatë 2,000, thoshte shefi i policisë, shkolla ishte plotë, s’kishte më klasa, batanije dhe ushqim. Aty ai kishte një problem edhe më të madh: ‘Koloneli i ushtrisë serbe kishte thirrur dhe kishte thënë se nuk duhet t’i pranojnë refugjatët”, shkruan Kusovaq, transmeton KlanKosova.tv.

Ai ndër të tjera tregon së më 26 mars numri i refugjatëve po rritej. “4,000 janë duke ardhur”, vazhdon ai.

“Popullsia prej 9,000 vetave e Rozhajës ishte dyfishuar brenda ditës, ku vetëm deri në mbrëmje kishte gati 8,000 refugjatë”.

Kusovaq përshkruan vështirësitë e shqiptarëve për të kaluar në pikëkalimin në Kullë, ku thotë se veturat e traktorët ishin të mbingarkuar.

Edhe pas kalimit andej kufirit, forcat serbe, tregon ai, kishin vazhduar të gjuanin përreth ku një njërën prej ditëve ishte vrarë një fëmijë malazez.

“Tre javë më pas disa kilometra larg ushtria serbe kishte vrarë 18-22 kosovarë që po largoheshin në këmbë nëpër shtigje të ndryshme. Rozhaja kishte pranuar 50-60 mijë shqiptarë refugjatë të Kosovës, disa prej të cilëve qëndruan gjatë gjithë luftës, derisa të tjerë lëvizën nëpër kampe më të mira”, shkruan gazetari Kusovaq, derisa bën thirrje që kontributi i atyre që ndihmuan për shpëtimin e tyre t’u njihet si në Kosovë ashtu edhe në Mal të Zi