Kusari-Lila: Opozita të reflektojë për rezultatin e vet zgjedhor para se të kërkojë zgjedhje

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila tha se opozita duhet të reflektojë mbi rezultatin e fundit zgjedhor para se të kërkojë zgjedhje të reja.


Ajo sot në një konferencë për media, shtoi se nuk ka nevojë për përfundim të hershëm të mandatit të Qeverisë.

“Listuam të arriturat e kësaj legjislature dhe sfidat me të cilat është përballur, që janë të jashtme por ka pasur dhe të brendshme. Megjithatë nuk e konsiderojmë që ka hapësirë ose nevojë për dorëheqje apo përmbyllje të mandatit të Qeverisë. Kemi opozitën që prej fillimit ka kërkuar zgjedhje të reja, në mungesë të çfarëdo alternative për reflektim të vetin të brendshëm në raport me rezultatin zgjedhor për të cilin ata duhet të bëjnë pyetje përbrenda dhe jo në Kuvend, apo të kërkojnë shkuarjen në zgjedhje”, tha Kusari-Lila.

Shefja e GP të VV-së, potencioi se opozita nuk është serioze në kërkesën për zgjedhje të reja. Sipas saj, tri grupet parlamentare opozitare po paraqesin qëndrime të ndryshme rreth zgjedhjeve e kjo tregon joseriozitet.