Kurti përkujton Albright: Kosova gjithmonë mirënjohëse

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot ish-sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright në dyvjetorin e vdekjes së saj.


Kurti në një postim në rrjetin social X ka shkruar se vendi ynë do të jetë gjithmonë mirënjohës ndaj Albright për ndalimin e gjenocidit në Kosovë.

“Kanë kaluar dy vjet që nga vdekja e sekretares së Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright, një avokate e vendosur për vlerat amerikane jashtë vendit. Kosova do të jetë gjithmonë jashtëzakonisht mirënjohëse për përkrahjen e saj ndaj ndërhyrjes së NATO-s, e cila ndaloi krimet e papërshkrueshme të gjenocidit”, shkroi Kurti.

Madeleine Albright u lind në vitin 1937 dhe ishte gruaja e parë që mbajti postin e sekretares së Shtetit. Ajo ishte një figurë kyçe në administratën e Bill Clinton dhe udhëhoqi politikën e jashtme të SHBA-së në periudhën e pas Luftës së Ftohtë.

Pasi ishte ambasadorja amerikane në OKB, në mandatin e dytë të Bill Clinton-it ajo ishte shefe e diplomacisë, ajo mbrojti zgjerimin e NATO-s dhe inkurajoi ndërhyrjen në Ballkan për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik.

Ajo luajti një rol kyç në ndërhyrjen në Kosovë në vitin 1999 për të parandaluar gjenocidin ndaj shqiptarëve nga kasapi i Ballkanit Sllobodan Millosheviq.

Albright akuzoi Millosheviq për krijimin e “tmerrit të përmasave biblike” në dëshirën e tij për të zhdukur shqiptarët në Kosovë.

Mësimet e dhimbshme të nxjerra në Ruandë dhe në Bosnje i shërbyen mirë SHBA-së në Kosovë kur serbët më të fuqishëm filluan spastrimin etnik të shqiptarëve. Në vitin 1999, NATO u përgjigj me një fushatë 14-javore të sulmeve ajrore që përfshinte edhe Beogradin.