Kurti ngacmon ish-qeveritë: Po, do t’i përfundojmë punët që i latë keq e në gjysmë

Kryeministri Albin Kurti ka bërë një përmbledhje të punëve infrastrukturore gjatë këtyre tri viteve mandat.


Në një postim në Facebook, ai ka thumbuar ish-qeveritë, duke thënë se qeveria e tij po merret me punët që ata “i lanë keq e në gjysmë”.

“Po, do t’i përfundojmë punët që qeveritë e mëhershme i lanë keq e në gjysmë, si rruga Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Mitrovicë, autostrada Prishtinë-Gjilan dhe rruga Prishtinë-Pejë. Nuk ka qenë e lehtë të zhbëjmë labirintin burokratik, keqplanifikimet me projekte dhe keqmenaxhimet me kontrata, por po ia dalim”, u shpreh Kurti, raporton Klankosova.tv.

Ndonëse ka thënë se kanë filluar punimet “me hov të merituar” në rrugën Prishtinë-Mitrovicë, ai nuk ka treguar se kur do të përfundojnë ato.

As për rrugën Prishtinë-Podujevë nuk ka dhënë ndonjë afat se kur mund të përfundojë, por ka thënë se “atë po e zgjerojmë dhe po ia shtrojmë të shumëpriturat 15 kilometrat e mbetur në segmentin Prishtinë-Lluzhan, për çka kemi ndarë 35 milionë euro”.

Për autostradën Prishtinë-Gjilan, ai tha se punimet në të po shkojnë drejt përfundimit.

“Mbi 75% të punimeve deri në fshatin Bresalc janë finalizuar. Është ndarë buxheti për vazhdimin e saj deri te Dheu i Bardhë. Jemi të vetëdijshëm për vonesat, por edhe jemi të vendosur që puna të ecë e të përfundojë me cilësinë e duhur dhe sa më parë”, theksoi Kurti.

Ndërkaq, ai tha se tash së fundmi janë nënshkruar kontratat për fillimin e ndërtimit të rrugës me katër korsi Prishtinë-Pejë, segmenti Kijevë-Dollc, me një gjatësi 12.8 km, në vlerë prej 21 milionë euro.

“E kemi ndarë buxhetin për të vazhduar pastaj me segmentin nga Dollci e deri në Zahaq”, deklaroi Kurti.

Më tej, ai tha se kanë filluar procedurën e prokurimit për ndërtimin e rrugës nga dalja jug e autostradës në Prizren e deri në hyrje të tunelit të rrugës Prizren–Tetovë si dhe ndërtimin e rrugës nga fshati Kërstec në komunën e Sharrit e deri në fshatin Zapod të Bashkisë së Kukësit. Ndër të tjera, tha se janë afër përfundimit të urës në Drelaj dhe janë nënshkruar kontratat për ndërtimin e urave në Badoc e Rogovë të Hasit.

Veç tjerash, ai tha se qeveria e tij ndërtoi e asfaltoi rrugë edhe në zona e fshatra në veri të vendit “me të cilat lidhëm fshatrat mes vete si dhe me komuna në jug”.

“Atje po ashtu për herë të parë po ndërtojmë e rinovojmë dhjetëra shtëpi të banorëve shqiptarë që janë dëmtuar nga lufta e fundit në Kosovë. E pas 24 vjetëve në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq hapëm e funksionalizuam Zyrat Kadastrale Komunale.

Po ashtu, ai tha se të gjitha këto punë janë bërë, “ndërkohë që borxhin për shpronësime e kemi ulur për 86 milionë euro”.

Sipas kryeministrit, në të kaluarën mirëmbajtja e rrugëve ka kushtuar 57 milionë euro për tri vjet, ndërsa tani, “me kontratat që kemi nënshkruar ne, me paramasa të ndryshuara, duke shtuar pozicione që e rrisin kualitetin e sanimeve siç janë rrjetat geogrid në shtresa të asfaltit dhe duke hequr pozicionet fiktive dhe ato të duplifikuara, e kemi zbritur atë në 38 milionë euro”.

Ai përmendi edhe projekte tjera infrastrukturore.

“Përveç këtyre projekteve kemi trasuar udhën edhe për projekte të mëdha të Qeverisë sonë. Kemi nënshkruar marrëveshje me Maqedoninë e Veriut për rrugën Prizren-Tetovë, që do të kalojë mes për mes malit të Vërtopit. Kemi paraparë 200 milionë euro investime për rehabilitimin e Linjës Hekurudhore 10, që do të mundësojë operimin e trenave me shpejtësi deri në 100km/orë në shumicën e seksioneve të linjës. Po punohet për rehabilitimin e linjave hekurudhore Fushë Kosovë-Klinë-Pejë me gjatësi 81 km, dhe linjës Klinë-Prizren, me gjatësi prej 58 km. Kemi arritur në fazën e përgatitjes së projektit ideor për ndërtimin e linjës hekurudhore Prishtinë-Durrës, që na lidhë edhe më shumë me Republikën e Shqipërisë dhe që i forcon edhe më tej ekonomitë tona. Po ndërtojmë rrugë që ndërlidhin fshatra të Kosovës me Shqipërinë për më shumë shkëmbime e më shumë turizëm malor. Nga ana jonë si palë kemi bërë krejt çka duhet për rrugët që lidhin Pejën me Rozhajën, dhe Deçanin me Plavë, për të cilat kemi marrëveshje bashkëpunimi me Malin e Zi”, theksoi kryeministri Albin Kurti